Niko Kovac vazhdon të humbasë pikë dhe deklarata e tij e fundit nuk i ka pëlqyer aspak tifozëve të Bayern Munchen.

Bavarezët do të përballen nesër kundër Eintrachtit të Frankfurtit, në një nga transfertat më të vështira të kampionatit gjerman.


Trajneri kroat ishte pjesë e Eintrachtit përpara se të transferohej te Bayerni në verën e vitit 2018. Kovac kaloi dy sezone në Frankfurt, fitoi Kupën e Gjermanisë dhe riktheu ekipin pas shumë viteve në Evropë.

Tifozët e Eintracht Frankfurt

“Tifozët e Eintrachtit janë më të mirët në Gjermani“, është shprehur Kovac kur është pyetur për eksperiencën e kaluar te kundërshtarët e nesërm.

Këto fjalë nuk janë pëlqyer aspak në Bavari, edhe pse trajneri ka kërkuar të sqarojë kuptimin e fjalëve të tij në prononcimin e dhënë për Die Welt.

“Nuk mund të mos i admiroj ish-tifozët e mi. E kam ndjerë nga afër pasionin e tyre edhe sezonin e kaluar kur thirrën në kor emrin tim. Nuk dua të tregoj mungesë respekti për tifozët e Bayernit kur them se në Frankfurt krijohet një atmosferë unike në stadium“, thekson trajneri i kampionëve të Gjermanisë. /abcnews/