Një risi që vjen në tregun shqiptar dhe që lidhet me pjesën e sportit është edhe ajo e Emir Vajushit. Ndonjëherë i bëjmë jehonë shumçkaje, por harrojmë njerëzit që përpiqen me gjëra të vogla në dukje, por për të ndryshuar një mentalitet në Shqipëri.

E tillë është edhe iniciativa tërësisht e veçantë për vendin tonë nga tifozi i Vllaznisë. Nëpërmjet videove, reagimeve dhe komenteve në “Youtube”, sa herë mbyllet një ndeshje e ekipit shkodran, tifozat e tjerë mund të shohin materialet e përgatitura. Kështu krijohet edhe një “forum” mes sportdashësve që ndajnë mendimet e tyre dhe ka një përfshirje më të madhe mbi futbollin.

Sigurisht që në vendet e tjera si në Itali, materialet e tilla kanë një shikueshmëri të jashtëzakonshme. Ndërsa në vendin tonë hasen edhe shumë paragjykime të tipit: “Një analist më shumë”, megjithëse pa e dëgjuar mirë brendësinë e asaj që kërkohet të komunikohet. Në këtë intervistë të “Sport Ekspres” një hapësirë e veçantë dhe e merituar i është kushtuar edhe Emir Vajushit, që na tregon me detaje këtë vendim të tijin dhe frymëzimin që i vjen nga tifozat e Interit.

“Ideja ka lindur në verën e 2018. Vllaznia sapo kishte rënë nga elita dhe ishte dramë e madhe për gjithë qytetin dhe tifozët e saj. Por të them të drejtën u fiksova pak duke ditur paragjykimet që Shkodra i ka ndoshta pak më theksuara se pjesa tjetër e qyteteve në Shqipëri. Prandaj ngurrova dhe u mjaftova vetëm me komente në shkrime atëherë. Pastaj sapo u kthyem në elitë e vendosa përfundimisht që të ndjek këtë rrugë. Frymëzimi erdhi nga “Youtuberat” interistë në veçanti, por edhe atë italian në tërësi.

E vërtetë që jam hasur edhe me paragjykimet tani, nga njerëz që më cilësojnë si “një analist” më shumë”. Fatmirësisht jo shpesherë. Megjithatë kam natyrën e “buka e mund gurin”. Jam munduar gjithmonë të jem sa më i qetë dhe korrekt me njerëzit. I pranoj komentet pozitive dhe ato negative. Sigurisht që i dija vështirësitë dhe ato talljet duke parë mungesën e informacionit sesi funksionon kjo gjë. Shto këtu edhe paragjykimet tona të theksuara dhe që i vendosim të tjerëve etiketa pa e dëgjuar asnjëherë.

U frymëzova nga tifozët e Interit siç e thashë, duke u fokusuar te Vllaznia. I ndjek dhe dua të marrë gjëra pozitive prej tyre, por ka disa gjëra që ndryshojnë kur kthehesh në realitetin shqiptar. E para se njerëzit këtu janë mësuar më shumë me muzikë dhe kronika të zeza apo emisione sportive, jo me komente për futbollin nga një tifoz futbolli. E dyja është masiviteti që ka jashtë dhe pritshmëritë kur videot janë vetëm për Vllazninë. Nuk pretendoj që të ketë jehonë të jashtëzakonshme apo të bëj krahasime.

Sa i përket punës së Jonuz më duket shumë e mirë, por nuk është se ai po bën gjithçka. Kjo është punë e nisur që kur luanim në “kategorinë e turpit”, siç do e quaja unë për Vllazninë. Ka seriozitet, përkushtim dhe dëshirë. Merita kryesore është e Suad Licit që po e kthen Vllazninë e madhe. Unë jam pro talenteve, por në momentin e duhur, duke e gërshetuar me eksperiencën.

Ndeshja humbet si skuadër dhe fitohet si e tillë, jo me një individ. Në Shqipëri duhet të krijohet kulturë tifozerie, jam i këtij mendimi. Duhet ta duash dhe mbështetësh gjithmonë ekipin edhe kur humbet, madje për këtë kam edhe një shprehje: “Si në ditë të mira dhe të vështira, ti për ne Vllaznia, je gjithmonë më e mira”. /Sport Ekspres/