Ish- trajneri i kombetares shqiptare Neptun Bajka ka bere nje analite te kampionatit shqiptar, eshte ndalur tek skema e re me “Final 4”, por edhe tek shanset e skuadrave per ta fituar ate. Ne prononcimin e tij per “Panorama Sport” ai eshte shprehur skema e re duhet të hiqet, por edhe kampionati duhet të luhet me 14 ekipe.

“Të them të drejtën, e kam pasur të vështirë të kuptoj një skemë të tillë, por nuk kam reaguar, sepse kam menduar se ata që merren me këtë punë e dinë më mirë. Kam arsyetuar se ata e kanë analizuar më me hollësi mbi përfitimet që do të ketë futbolli në Shqipëri nga kjo skemë. Por mesa po shikojmë dhe ndjekim kampionatin, deri më tani më tepër ka zhgënjime, sesa ndonjë ecuri dhe përparim të futbollit tonë në të gjitha aspektet. Këtë javë u përballën Partizani dhe Egnatia, që ishte duel direkt.

Unë mendoj se në “Final 4” të gjitha ekipet që do të marrin pjesë, do të kenë një tjetër pamje. Mobilizimi do të jetë me shumë se 100% për të arritur në rezultatin e dëshiruar. Do të tregojnë gjithçka kanë, por shpresoj që të mos ndihet lodhja e lojtarëve për të përballuar ato dy ndeshje. Kampionati ka ardhur në një moment të tillë, kur pothuajse të gjitha ekipet po shprehin shenja lodhjeje nëpër reparte dhe në lojtarë të veçantë.

Unë mendoj se ekipe si Partizani, Vllaznia apo dikush tjetër që po pretendon të jetë në katërshe, kanë gabuar në përllogaritjen e tyre. Nuk i kanë vlerësuar ndeshjet që kanë pasur, duke lejuar që të paraqitet kjo situatë. Tri ekipe, duke përfshirë edhe Tiranën, pretendojnë të jenë në katërshe, por jo me qasjen e duhur.

E kam të vështirë t’i bëj llogaritë e këtyre ndeshjeve që kanë mbetur. Nëse kanë hyrë me llogari, tani nuk po shkojnë si duhet dhe i janë prishur kalkulimet. Duket shumë e vështirë që të parashikoj saktësisht se cila do të jetë katërshja e “Final 4”.

Ky kampionat me 10 ekipe gjithsej mua nuk më pëlqen, por edhe me sa kam kuptuar nga opinioni publik, mendimi im ngjan me shumicën. Ne jemi një vend i vogël, ku të gjithë e duan futbollin, në të gjithë Shqipërinë. Le të bëhet me 14 ekipe, të ketë ekipe të forta, mesatare, por edhe të dobëta. Edhe ekipi i fortë ka nevojë të luajë ndaj një ekipi të dobët, të fitojë me lehtësi, të çlodhet dhe të vërë në jetë taktika të ndryshme. Këto ekipe që do të hyjnë në Superiore, mendoj se do të ngrihen dalëngadalë.