Ditën e djeshme, Kombëtarja e Shqipërisë U-21 ka luajtur një ndeshje miqësore në Mal të Zi ndaj skuadrës vendase, të cilën e kanë humbur me rezultatin 4-2. Ajo që duhet thënë është se njëri nga dy golat e këtij takimi për Kombëtaren U-21, ka për protagonist futbollistin shkodran, Klevis Dragaj.

Lojtari i Partizanit e ka dërguar topin në rrjetën e portës vendase në pjesën e dytë, kur u aktivizua si zëvendësues. Ai ka ndjekur aksionin me vëmendje dhe për rrjedhojë, topi ka përfunduar në rrjetë, me portierin e Malit të Zi që nuk ka arritur dot ta shmangë këtë gol.

Në fakt, shkodrani Klevis Dragaj luan si sulmues dhe prej dy sezonesh është pjesë e skuadrës së Partizanit. I rritur dhe i formuar tek Akademia e Shkëndijës së Tiranës, tashmë Dragaj po kërkon të hedhë hapat e parë në futbollin e madh, ku duket se e pret një e ardhme e ndritur.

19-vjeçari ka pasur edhe debutimin e tij në Superiore këtë edicion, duke marrë minutat e para. Kjo pas një lëndimi që e ka mbajtur jashtë fushave për disa kohë, por me formën e treguar, tashmë ai pret shansin edhe tek ekipi i parë i Partizanit, ku duket se ka besimin e drejtuesve dhe stafit teknik, me në krye trajnerin Giovanni Colella.

Në fakt, në verën e kaluar, Dragaj firmosi një kontratë katër vjeçare me “demat e kuq”, por në sezonin e parë kuptohet që nuk kishte hapësirat e duhura për aktivizim. Megjithatë, në klubin e kuq janë optimistë dhe e shohin si futbollist të së ardhmes.

Kjo pasi është afruar në ekip prej dy vitesh dhe është pritur gradualisht për rritjen e tij si futbollist. Megjithatë, vetëm fusha e blertë do të mund t’i tregojë cilësitë e vërteta të tij.

Në javët që mund të vijnë pas pushimeve për shkak të Botërorit të Katarit, sulmuesin shkodran mund ta shohim me siguri titullar me të kuqtë, ku Klevis Dragaj mund të vijojë traditën e shkëlqyer të shkodranëve që në të shkuarën kanë shkëlqyer me fanellën e Partizanit.
Maringlen ZHIVANI