Ardit Krymit i mjaftuan gjashtë muaj për t’u shpallur kampion në Bjellorusi me Shaktjor Soligorsk, teksa në verën e vitit 2023 do të luajë në Champions për herë të parë. Në tetë sezone radhazi aktivizim me Vllazninë, mesfushori arriti të fitojë dy herë Kupën e Shqipërisë, por pa mundur të shpallet kampion i Shqipërisë.

Megjithatë, ai është i bindur se ky sezon do të jetë i duhuri që skuadra e vendlindjes të festojë titullin dhe ai ta përjetojë si tifoz. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari flet për aventurën e parë jashtë vendit, ecurinë e Vllaznisë dhe ftesën e munguar nga trajneri Eduardo Reja për miqësoret e zhvilluara ndaj Arabisë Saudite dhe Katarit, ku u grumbulluan më së shumti lojtarë nga kampionati shqiptar.


Ardit, së pari urime për shpalljen kampion në Bjellorusi. Cila është ndjesia e titullit të parë në karrierë, që e arrini larg Shkodrës?

Sigurisht, një ndjesi e veçantë të jesh kampion. Pas dy kupave me Vllazninë, erdhi edhe titulli në Bjellorusi. Jam shumë i kënaqur për këtë arritje.

Besoj se e keni ndjekur Vllazninë, si ju duket ecuria e deritanishme?

Po, e kam ndjekur me aq mundësi sa kam pasur. Mendoj se çdo gjë është në rrugën e duhur. Ekipi në dy javët e fundit ka treguar stabilitet. Duhet të jenë gjithmonë bashkë, sepse kështu kanë për t’ia dalë në fund. I kanë mundësitë për të shkuar te titulli.

E prisnit më lart në renditje Vllazninë?

Po. Ashtu si kanë shkuar disa ndeshje, është gjynah që janë lënë pikë, jo vetëm me Erzenin. Me disa rikuperime të vogla në ndeshje të veçanta, do të kishin qenë në vend të parë sot.


Besoni se ky mund të jetë sezoni i Vllaznisë?

Po, i kanë mundësitë. Lojtarët janë shumë të mirë, pse jo të mos jenë pretendentë për titull.