“Pa shkodranë, nuk ka kombëtare”. Kjo shprehje është përdorur rëndom para viteve ’90 ndonëse ndaj tyre kishte sulme jo të pakta. Ata e kanë treguar me rezultate, me lojëra dhe gjithçka tjetër se janë të rëndësishëm për ekipet tona kombëtare.

E treguan në dy ndeshjet e fundit këtë Bekim Balaj dhe Rubin Hebaj. Brenda 24 orësh kanë shënuar tre gola dhe i kanë fitores të kombëtares së madhe dhe asaj U21 përkatësisht ndaj Uellsit dhe Maltës. Dhe trajnerët e këtyre ekipeve duhet të vazhdojnë t’i besojnë këtyre lojtarëve.

Panucci duhej ta bënte edhe në Shkodër me Balajn por çuditërisht e uli në stol. Jo se me të në fushë Shqipëria nuk do humbte ndaj Skocisë, por sulmuesi shtatëlartë do kishte edhe më shumë arsye për të treguar veten ndaj bashkëqytetarëve të tij.

Këtë e provoi Alban Bushi kur me Hebajn në sulm arriti të mundte Maltën në “Loro Boriçi”. Dhe këto dy lojtarë nuk duhet të jenë të vetmit që trajnerët e ekipeve kombëtare duhet t’i besojnë. Trajneri Bogdani thërret në kombëtaren U19 shumë futbollistë nga kampionati shqiptar por çuditërisht nuk ka një ftesë për Akileu Ndreca, golashënuesin më të mirë të kampionatit që në 10 ndeshje ka shënuar 10 gola për Vllaznia U19.

Po ashtu, Xhemal Mustedanagiç duhej të kishte një ftesë për Klejdi Palokën, sulmuesin shkodran që është golashënuesi më i mirë i kampionatit U17. Për të vazhduar me Eqerem Memushajn që për ndeshjen e nesërme ndaj Malit të Zi, duhej të kishte një ftesë edhe për Ersi Zaganjorin, një sulmues shumë të talentuar të grupmoshës U15.

Këta janë vetëm disa nga elementët e spikatur të Akademisë Vllaznia që e meritojnë një ftesë në këto kombëtare. Trajnerët e tyre duhet ta dinë se nëse i ftojnë ato, nuk kanë për t’u zhgënjyer prej tyre.
© shkodrasport.com