Gilman Lika pret një rrugëtim me pengesa për Vllazninë në fazën e dytë. Megjithatë, ai e ka gati një plan për të siguruar ngjitjen. Kapiteni, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, thekson se nuk duhet falur asnjë kundërshtar, brenda dhe jashtë fushe, dhe me 27 pikë të tjera të grumbulluara, misioni “Superiore” do të realizohet.

Për një lojtar që ka luajtur gjithnjë në nivele të larta nuk është aspak e lehtë që të ambientohet në inferiore, megjithatë mesfushori e pranon se kjo histori do të mbyllet në fund të këtij sezoni.

Këtë fundjavë nis faza e dytë, prisni pengesa në këto 9 javë?

Do të jetë më e vështirë se faza e parë. Ekipet tashmë e kanë kuptuar që Vllaznia është skuadra më e mirë dhe mobilizimi karshi nesh është më i madh. Çdo skuadër kërkon që të pozicionohet mirë në tabelë dhe kjo do na i bëjë më të vështira, sidomos transfertat.

Meqenëse përmendët transfertat, pse vuani kaq shumë?

Nga 4 takime që kemi pasur në transfertë deri më tani, kemi fituar dy, barazuar një dhe humbur një tjetër. Por në këtë fazë transfertat do i kemi edhe më të vështira, pasi ndeshemi me kundërshtarët direkt. Disa do të kërkojnë rokadën me ne, e të tjerë mbijetesën direkte.

Kundërshtarët kërkojnë që në fushën e tyre të lënë sa më pak pikë dhe këtë do ta kërkojnë edhe ndaj nesh. Pastaj çështje tjetër është gjendja e terreneve. I frikësohemi gjendjes së fushave në këtë periudhë. Gjithsesi, vend për justifikim nuk ka. Shiu, bora, balta dhe as i ftohti nuk do të na privojnë për të marrë fitoret.

Por, në Peshkopi i frikësoheni terrenit apo kundërshtarit?

Të dyve. Çdo skuadër në shtëpi kërkon maksimumin. Pastaj në mos borë, terreni me këto shira do të jetë i rënduar dhe dihet që Korabi do ta kenë më të lehtë, pasi e njeh më mirë sesa ne fushën e tij. Por e thashë edhe më lart, nuk duhet të diskutojmë asgjë nga këto, por të shkojmë për të marrë pikët.

Për të mos diskutuar ngjitjen, nga 27 pikë që rezervon faza e dytë, sa doni që të merrni?

Unë dëshiroj që t’i marrim të gjitha. Dhe nëse i fitojmë që të nënta ndeshjet, atëherë do të mbyllet edhe historia e ngjitjes në Kategorinë Superiore. Shpresoj që të ndodhë kjo, paçka se jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë kurrsesi një rrugëtim pa pengesa.

Vllaznia është shumë cinike me golat. Vetëm Vorës i ka shënuar tre herë, me të tjerat ia ka dalë minimalisht. Pse ndodh kjo?

Kjo është e vërtetë. Kemi fituar me rezultat të ngushtë në shumicën e rasteve, por nuk mund të mohohet që raste me bollëk për gol kemi pasur. Kemi gabuar në finalizim dhe kjo duhet të korrigjohet.

Për Likën që ka qenë pjesë e Kombëtares dhe ka luajtur jashtë Shqipërisë, si e sheh veten në Kategorinë e Parë?

Të jem i sinqertë, është shumë e vështirë. Por, po mundohem ta mobilizoj veten sa më shumë që të mbyllim këtë situatë sa më shpejt.

Që të mos përsërisni historinë e Tiranës, që përtej rikthimit në elitë vazhdon dhe lëngon, çfarë duhet të bëjë ndryshe Vllaznia juaj?

Për mendimin tim, duhet të ruajë bazën e ekipit që ka dhe të forcohet aty ku ka më shumë nevojë. Gjithmonë me lojtarë cilësorë, që të bëjnë diferencën.