Vllaznia do të luajë të enjtën duelin e javës së 11-të të Abissnet Superiore ndaj Kukësit, ndeshje kjo e planifikuar për t’u luajtur në stadiumin “Kukës Arena”.

Skuadra kuqeblu ka nisur përgatitjet që prej ditës së djeshme, duke pasur në dispozicion grupin e plotë të futbollistëve, përfshirë edhe mesfushorin anësor Liridon Latifi, i cili prej shumë javësh ka qenë në një fazë rikuperimi dhe ditët e fundit, ai ka nisur pak nga pak të stërvitet me skuadrën.

Megjithatë, sipas trajnerit Mirel Josa, nisur nga koha e gjatë e qëndrimit jashtë fushës së Latifit, ka shumë mundësi që deri në ndeshjen e Superkupës ndaj Tiranës, ai të mos jetë i përfshirë në listën e futbollistëve të gatshëm për ndeshje.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Vllaznia vjen në përballjen me Kukësin pas barazimit 2-2 në stadiumin “Loro Boriçi” përballë Erzenit. Një barazim që nuk është pritur mirë në rradhët e tifozërisë shkodrane, edhe për faktin se kuqeblutë ishin në avantazh 2-0 dhe në 15-minutat e fundit, pësuan dy gola, duke lënë dy pikë shumë të vlefshme në shtëpi.

Skuadra shkodrane, së bashku me stafin teknik dhe me në krye trajnerin Mirel Josa, janë ndalur gjatë në analizën e kësaj ndeshjeje, duke prekur disa nga defektet e shfaqura, në mënyrë që në përballjen e së enjtes me Kukësin, të merret një rezultat pozitiv.

Megjithatë, se sa do të korrigjohen këto defekte dhe probleme, mbetet për t’u parë në ndeshjen e javës së 11-të të Abissnet Superiore që Vllaznia do të luajë ndaj Kukësit në stadiumin “Kukës Arena”.
Maringlen ZHIVANI