Vllaznia do të luajë të enjten në transfertë, teksa do të ndeshet me ekipin e Kukësit. Klubi shkodran është duke i bërë një analizë në detaje ecurisë së fundit dhe po mundohen të preken të gjitha defektet e shfaqura, në mënyrë që në përballjen e së enjtes me Kukësin, të merret një rezultat pozitiv.

Kjo javë ka nisur si zakonisht me analizë për disfatën, ku trajneri Mirel Josa ka qenë paksa më kritik se herët e tjera ndaj futbollistëve të tij, pasi edhe skuadra gaboi shumë.

Gjithsesi, tashmë sfida me Kukësin është si finale në Shkodër dhe synimi është kthesa me marrjën e tre pikëve. Shkodranët pritet që të jenë më të plotë në këtë sfidë, sepse janë rikthyer të gjithë të dëmtuarit, me përjashtim të Liridon Latifit.

Kjo ecuri e Vllaznisë nuk është shumë pozitive, lidhur me investimin që është bërë këtë sezon në Shkodër dhe pritshmëritë apo pretendimet që kanë drejtuesit, me në krye presidentin Alban Xhaferi.

Prandaj, edhe me Kukësin do të kërkohet me patjetër kthesa, jo vetëm sepse luhet me një rival direkt për vendet e para të renditjes, por edhe për të mos ndërlikuar akoma më shumë llogaritë e sezonit, që tashmë ka hyrë në një fazë vërtetë interesante, sepse tabela e renditjes është ngjeshur dhe ndryshon çdo javë.
Maringlen ZHIVANI