Kukësi do të përballet me Vllazninë në ndeshjen e javës së 11-të të “Abissnet Superiore”, me sfidën që do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 13:00.

Morali te skuadra verilindore nuk është i duhuri përpara një dueli mjaft të luftuar, pasi të besuarit e Enekeleid Dobit vijnë pas dy humbjeve rresht.

Disfata ndaj Tiranës me shifrta 4-1 nuk është pritur mirë dhe sipas informacioneve verilindorët kanë udhëtuar 3 ditë përpara se zakonisht në qytetin e Kukësit.

Kjo ka qenë një kërkesë e drejtuesve të cilët kanë kërkuar që skuadra të stërvitet në qytet, ndërsa akomodimi i ekipit është bërë në një hotel në prishtinë.

Një detaj interesant është se verilindorët në këtë sezon në 4 ndeshje të luajtura me tifoz kanë mundur të barazojnë vetëm në një rast dhe 3 humbje, ndërsa në përballjen me Bylisin pa praninë e tifozëve ia kanë dalë të triumfojnë 2-0. Siç duket tifozët dhe “Kukës Arena” nuk janë arma më e fortë e skuadrës në këtë sezon./newsport/