Bashkia Shkodër është nderuar me një “Çertifikatë Mirënjohje” nga Federata e Futbollit të Kosovës për mikëpritjen dhe mbështetjen e dhënë gjatë vitit 2017 në zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares së saj në stadiumin “Loro Boriçi”. Një titull i tillë i është dorëzuar kryebashkiakes Voltana Ademi nga presidenti Fadil Vokrri në ceremoninë e zhvilluar pasditen e djeshme në Prishtinë. FFK ka organizuar manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit” dhe përveçse ka përzgjedhur më të mirët e vitit për futbollin kosovar, ka nderuar edhe disa ish- figura të tij në vite.
Po ashtu, nuk kanë munguar as mirënjohjet për njerëzit dhe institucionet që e kanë ndihmuar këtë Federatë për t’u integruar në mes vendeve të tjera në futbollin europian. Në këtë kuadër është dhënë edhe Mirënjohja për Bashkinë Shkodër. Siç dihet, kombëtarja kosovare i ka zhvilluar në Shkodër ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës dhe shkodranët i hapën dyert jo vetëm asaj por edhe tifozëve për ta mbështetur kombëtaren e tyre. Por duket se ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2017 në Shkodër, kanë qenë të fundit sepse stadiumi i Prishtinës është drejt përfundimit dhe ndeshjet e ardhshme do të zhvillohen atje.
© shkodrasport.com