Nëse ka futbollist që i kanë shkuar gjërat “ters” ai është mesfushori i Vllaznisë Ambroz Kapaklija. Kur pritej t’i linte pas të gjitha vuajtjet e kaluar nga dëmtimet e shumta dhe operacionet, për fat të keq është dëmtuar sërish. Ka ndodhur kështu ditët e fundit në stërvitje me ekipin e Vllaznisë dhe tashmë 22 vjeçari është duke kryer ekzaminimet e duhura për të parë shkallën e dëmtimit. Katër vite, katër dëmtime serioze për këtë futbollist. Nuk ka ku shkon më keq.

Kur ka qenë pjesë e ekipit U-19 ka qëndruar gjatë 6 muaj pushim për shkak të një problemi muskular. Vitin e parë me ekipin e parë të Vllaznisë u dëmtua në ligament dhe u detyrua të operohet duke qëndruar sërish pushim për një periudhe 7-8 mujore. Sapo u rikthye në fushë, iu përsërit i njëjti dëmtim dhe sërish operacion në ligament dhe përsëri 7-8 muaj pushim. Kohët e fundit u rikuperua dhe gjithçka po shkonte mirë. Luajti në 2-3 ndeshje me Vllazninë B dhe ditët e fundit u bashkua në stërvitje edhe me ekipin e parë por vetëm për pak kohë sepse është dëmtuar sërish. Dyshimet janë për probleme në menisk megjithatë duhet parë me kujdes. Ajo që mund të thuhet është se karriera e këtij futbollisti ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme.
© shkodrasport.com