Me fitore e ka mbyllur këtë javë edhe ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” vajzat e drejtuara nga trajneri Bledar Gjeçaj kanë fituar me rezultatin e thellë 88-19 ndaj ekipit modest Barleti.

Ndeshja në fakt nuk ka patur shumë historit, nisur edhe nga niveli shumë i dobët i kundërshtarit. Kjo shikohet edhe në rezultatet e periodave të saj. E para është mbyllur në shifrat 21-7, por në të dytën diferenca është edhe më e madhe teksa shkodranet shënojnë 29 pikë ndërsa kundërshtaret e tyre vetëm 2 pikë në 10 minuta!!!

Në periodën e tretë Vllaznia do të vazhdonte ta thellonte rezultatin, duke e fituar atë 14-6, ndërsa në të katërtën do të thellohej edhe më shumë kur mbyllet 24-4.

Përfundimisht 88-19 dhe Vllaznia siguron fitoren e dytë në po kaq ndeshje kampionati duke treguar se sivjet do të tentojë diçka më shumë nga kampionati i kaluar.

Edhe këtë herë ka spikatur mbi të gjitha Bernada Rreshpja e cila ka shënuar plot 35 pikë. Pas saj vjen Ingrid Dashja me 16 pikë, Anisa Bokrina me 11 pikë dhe po kaq shënoi edhe amerikania Taylor Brooke Dunn, Melida Hykaj 6, Sindi Kryeziu 5, Sara Murçaj 2 dhe Ersa Cekaj po 2 pikë./SHKODRA-SPORT.COM/