Tërbuni merr edhe fitoren e dytë në kampionat. Pasditen e djeshme ai ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj ekipit “Albanët” në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës.

Përballë kishi një nga ekipet më të dobëta të kampionatit dhe kjo gjë ndoshta krijoi idenë e një fitoreje të lehtë, çka ndikoi tek skuadra duke mos arritur dot të dalë në lojën e saj. Kjo bëri pjesa e parë të mbyllej në shifrat e barabarta 0-0.

Krejt ndryshe në të dytën. Që në minutën e 48-të ka qenë futbollisti Romario Tabaku i cili ka shmangur edhe portierin duke e dërguar topin në rrjetë. Pas këtij momenti, Tërbuni ka arritur të krijojë edhe shumë raste të tjera shënimi, por ka munguar konkretizimi.

Por ndërkohë dy minuta para fundit të ndeshjes, ka qenë sulmuesi shkodran Jurgen Gjini i cili është futur në zonë në krahun e djathtë të saj, ka gjuajtur tokazi dhe e ka dërguar topin për të dytën herë në rrjetë.

Përfundimisht 2-0 për Tërbunin që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 7 pikëve, me 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje dhe si rrjedhojë ai mban vendin e katërt në renditje./SHKODRA-SPORT.COM/