Të rinjtë e Vllaznisë në basketboll janë shkurorëzuar dje nga titulli kampion i vitit të kaluar. Ndonëse ata shpresonin ta fitonin sërish atë trofe, në fakt tashmë u duhet t’u hapin rrugë dy ekipeve të tjera që kanë dalë në finale dhe do të diskutojnë fitimin e tij. Ata janë pikërisht Tiranë dhe Virtus Tirana. Shkodranët janë ndeshur në gjysmëfinale me ekipin e Tiranës, ndeshje që është luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Ka qenë një takim me shumë rivalitet mes dy ekipeve. Perioda e parë është mbyllur me fitoren e shkodranëve 17-12. Me këtë epërsi në 10 minutat e para të ndeshjes, u krijua ideja se djemtë e trajnerit Roland Koka do të shkonin drejt një fitoreje të sigurtë, por nuk do ndodhte kështu. Në periodën e dytë, janë bardheblutë që përmbysin rezultatin duke fituar 11-7 e po ashtu, ata fitojnë edhe periodën e tretë 10-5. Në të katërtën është Vllaznia sërish që dominon, arrin të fitojë 13-10, por kjo diferencë nuk mjafton që ajo ta fitojë krejt ndeshjen që mbyllet në shifrat 43-42 për Tiranën. Një ndeshje shumë e fortë e cila tregon se Vllaznia pavarësisht problemeve që ka patur gjatë gjithë sezonit me mungesën e kushteve të stërvitjes dhe largimin e lojtarëve sërish u paraqit si një ekip kampion.
www.shkodrasport.com