Vetë nuk ka dashur të flasë shumë në lidhje me ato çfarë po bëhet dhe çfarë do bëhet në të ardhmen tek Vllaznia. Megjithatë drejtori sportiv I klubit shkodran, Armir Grima, I kontaktuar sot, ka zbuluar disa enigma se kush do jenë kriteret me të cilët do përzgjidhet trajneri I ri dhe se kur mendohet të zgjidhet ai. “Kam patur një ide prej kohësh për të krijuar një Këshill trajnerësh dhe kam patur dëshirë që ky këshill të mos ishte thjesht formal. Ai të kishte të drejtë për të diskutuar, për të analizuar dhe për të sugjeruar se kush do jetë trajneri I skuadrës apo dhe gjëra të tjera teknike që kanë të bëjnë me skuadrën. Mendoj se emrat që kemi përzgjedhur për këtë Këshill janë të gjithë të nderuar: Ramazan Rragami, Esat Rakiqi, Nikoll Gjergji, Astrit Premçi, Ismet Hoxha dhe Taip Piraniqi. Gjatë ditëve në vazhdim, mendoj që në praninë edhe të kryebashkiakut Luka, të mblidhen gjithë këta specialistë dhe në një tavolinë pune të merren në shqyrtim gjithë kandidatët për postin e trajnerit të Vllaznisë. Pikërisht pas diskutimeve që do bëhen, do dalë edhe emri I trajnerit. Unë mendoj se është më mirë kështu. Të rrahen mendimet nga disa specialist dhe në fund, vendimi që do dalë të jetë kolegjial në mënyrë që gabimet e bëra të jenë sa më të vogla”- thotë Grima. Në këtë mënyrë, edhe kryebashkiaku Lorenc Luka, njeriu që ka të drejtën e vendosjes për këtë çështje, do të jetë më I qetë në zgjedhjen që do bëjë sepse emri I trajnerit do të dalë nga një “Këshill” që vlen shumë në aspektin e dhënies së mendimeve. Rragami, Rakiqi, Gjergji, Premçi, Hoxha dhe Piraniqi do kenë tani e tutje një detyrë jo të lehtë.
Gjergj KOLA