Basketbollistët e rinj të Vllaznisë kanë arritur të fitojnë me një rezultat të thellë ndaj Elbasanit në ndeshjen çerekfinale të kampionatit, atë të luajtur mesditën e së dielës në “Qazim Dervishi”. Kuqeblutë kanë arritur të fitojnë me rezultatin 75 me 26 dhe pikërisht kjo diferencë tregon më së miri edhe dominimin e tyre në parket. Megjithatë trajneri Roland Koka nuk e konsideron një fitore krejt të lehtë atë, në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” do të shprehej: “Fitorja nuk ka qenë aq e lehtë. Nuk e nisëm mirë ndeshjen megjithatë me kalimin e minutave, çdo gjë foli në favorin tonë dhe ia dolëm me sukses të fitojmë dhe të kualifikohemi për në katërshen e ekipeve më të mira që do të vazhdojnë rrugën drejt fitimit të titullit kampion”. Ndërkohë, me këtë fitore, Vllaznia ka kaluar në gjysmëfinale të kampionatit dhe sipas trajnerit Koka objektivi i saj është fitimi i titullit kampion. “Objektivi i ekipit të Vllaznisë është i qartë: fitimi i titullit. Kuptohet se nuk do të jetë e lehtë për më tepër që sipas informacioneve që kam marrë, ndeshjet e turit final do të zhvillohen në Kamëz, në një fushë sportive që nuk plotëson asnjë parametër dhe kuptohet që do të na bëhet më e vështirë por kjo nuk na ndal në objektivin tonë. Kam në dispozicion një grup sportistësh cilësor dhe besoj se ata do të jenë pretendentë jo vetëm këtë sezon por edhe në atë që vjen, gjithnjë nëse do të jem unë sërish trajner i këtij ekipi”- ka thënë Koka.Basketbolli shkodran në këtë mënyrë po bën një paraqitje të mirë si me të rriturit ashtu edhe më të rinjtë, çka tregon se e ardhmja e këtij sporti në Shkodër duket e sigurtë.

© shkodrasport.com