Ndeshja Vllaznia- Partizani, e fituar nga kjo e fundit me rezultatin 2-3, e vlefshme për turin gjysmëfinal të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj, është ndjekur në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” edhe nga disa ish- volejbollistë të ekipit shkodranë në vite si Irfan Boriçi, Viktor Jubani, Gjino Mjeda, Artan Kalaja etj. Natyrisht që ata prisnin fitoren e ekipit të tyre por kjo nuk ka ndodhur dhe në fund kanë ndjerë zhgënjim sepse shkodranët humbën një mundësi mjaft të mirë për të dalë në finale. Njëri prej këtyre ish- sportistëve, i mirënjohuri Gjino Mjeda, një nga emrat më të mëdhenj të volejbollit shkodran dhe atij shqiptar të viteve ’80, në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” do të fliste për ndeshjen duke thënë se ishin vetë vendasit ata që e humbën ndeshjen. “Nuk arrij ta kuptoj si u humb kjo ndeshje. Seti i parë duhej të ishte fituar nga Vllaznia dhe pastaj me 2-0 gjithçka do ishte më e lehtë. Më shumë sesa meritë e Partizanit, kjo ndeshje u humb nga vetë lojtarët shkodranë me disa gabime elementare që bënë. Megjithatë, duhet që në ndeshjen e tretë të luajnë ashtu si duhet dhe të fitojnë në mënyrë që ata të jenë në finale të këtij kampionati sepse e meritojnë këtë gjë”- ka thënë mjeshtri Mjeda. Prania e këtyre emrave të shquar të volejbollit në shkallët e pallatit të sportit, sigurisht që është një mbështetje e madhe për sportistët e sotëm të cilët po bëjnë gjithçka mirë në kampionat megjithatë i duhet edhe një sforco e fundit për të siguruar finalen e këtij sezoni. Për këtë arsye, i duhet të fitojnë të martën në Tiranë ndaj Partizanit në takimin e tretë dhe të fundit gjysmëfinal.

© shkodrasport.com