Ditët e fundit po flitet shumë për ndryshimet e ndodhura tek ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë dhe optimizmi për të ardhmen. Por në fakt nga ky ekip vijnë edhe lajme jo të mira. Një të tillë ka marrë ditën e djeshme njëri prej lojtarëve më të mirëve të tij, shtatëlarti Gjon Ndoja.

Si pasojë e dëmtimit të pësuar në ndeshjen me Teutën, ai ka mbyllur sezonin. Këtë lajm atij ia kanë dhënë mjekët specialistë pasi kanë parë rezonancën e gjurit të dëmtuar. Këputje e ligamentit të gjurit (kroçiatit) dhe çarje të meniskut.

Si rrjedhojë, ai e ka mëse të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjikale. Por edhe nëse bëhet menjëherë, periudha e rikuperimit shkon deri në gjashtë muaj dhe për këtë arsye sezoni është mbyllur për të. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Shkodra Sport” vetë Ndoja kur shprehet:

“Paskam pas fatin e keq. Dëmtimi rezultoi më i madh sesa e kisha menduar ndonëse e mendova ngaqë gjatë gjithë këtyre ditëve kam patur dhembje të mëdha. Mjekët konstatuam këputje të ligamentit dhe për rrjedhojë duhet ndërhyrje kirurgjikale”.

Me Ndojën tashmë që ka mbyllur sezonin, drejtuesit e Vllaznisë padyshim që duhet të hedhin sytë nga merkato sepse trajneri Plantak ka pak alternativa në dispozicion.
© shkodrasport.com