Takimi i sotëm mes kryeministrit Rama dhe presidentit të FSHF, Duka ka pasur edhe anën “sportive”, atë të batutave gjatë dhe pas mbledhjes.
“Panorama Sport” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë asaj që ndodhte jashtë fokusit të kamerave. Ja disa prej tyre…

1) Në dy raste, zilja e celularit të ish-shefit të sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela, shkaktoi ilaritet në sallë, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, kjo edhe për faktin se bëhej fjalë për himnin e Milanit. Çela është një tifoz i hershëm i kuqezinjve italianë.

2) Teksa po fliste zv.ministri i Sporteve, Kostandin Shkurti, fonia prishet dhe për pak sekonda rregullohet. Batuta e Ramës është epike në këtë moment. “U fik mikrofoni se u lodh…”, tha kryeministri.

3) Sapo Armand Duka mbërrin në vendin ku do të zhvillohej takimi, nuk mungon batuta me presidentin e Adës, Alfred Pjetri: “Jemi mbledhur për të rrëzuar qeverinë. Upss, harrova. Ne jemi me këta….(qesh)”.

4) Gjatë diskutimeve ra në sy fakti se drejtori i Partizanit, Olsi Rama, nuk bëri asnjë koment. Natyrisht përballë kishte vëllanë e tij kryeministër dhe kjo ndoshta bëri që të stepej, duke u lënë radhë të tjerëve.