Bayerni i Mynihut mbetet në kërkim të një trajneri për sezonin e ri. Thomas Tuchel do të largohet nga klubi në fund të sezonit dhe deri më tani, Ralf Rangnick, Julian Nagelsmann dhe Xabi Alonso janë konfirmuar si kandidatë që e refuzuan pozicionin, për të cilin u përfol edhe Roger Schmidt i Benfikës.

Karl-Heinz Rummenigge, dy herë fitues i Topit të Artë dhe legjendë e Bayernit ka folur për gazetën As, në një intervistë në të cilën ka trajtuar këtë temë.

“Këto janë çështje me të cilat nuk lidhem më, sepse nuk jam më i përfshirë. Megjithatë, unë mund të rekomandoj trajnerë. Kur punësuam Pep Guardiolën, krijuam një operacion që zgjati gjashtë muaj dhe askush nuk e mori vesh. Duhet të veprojmë në mënyrë strategjike, por pa dalë çdo ditë në gazeta hapi tjetër”, ka thënë ai.

Kjo deklaratë e tij mori një përgjigje ose, të paktën, një shpjegim të vogël. Christoph Freund, drejtor sportiv i Bayernit, theksoi se dalja e informacioneve ka të bëjë me faktin që klubi bavarez tërheq shumë vëmendje.

“Bayerni është një klub që tërheq shumë interes. Ne duam të gjejmë dikë që përshtatet 100%, dikë që është në lartësinë e detyrës. Nuk kemi një afat, është në krye të prioriteteve tona”, tha Freund, në prag të ndeshjes vendimtare në Champions League kundër Real Madrid.