Bedri Omuri, kundër stadiumit bosh në Tirana-Vllaznia. Ish-lideri i mesfushës së bardhebluve që ka luajtur pa fund “klasike”, nuk e kupton një stadium pa tifozë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Omuri vazhdon ta kritikojë ekipin dhe sidomos mbrojtjen, që sipas tij bën gabime ordinere. Omuri thotë se problemi i bardhebluve është te drejtuesit që te Tirana janë anonimë.
“Është një ndeshje e barabartë. Paçka se skuadra kundërshtare u mund ndeshjen e fundit dhe Tirana u barazua në shtesë do të jetë në ekuilibër. Dua të fitojë Tirana, por me gjithë peripecitë që ka, ndryshimet në formacion, sepse vjen njëri heq katër, fut pesë; nuk e di ku duan të dalin dhe cila është strategjia e klubit.
Për mua bën shumë mirë që aktivizon të rinjtë. Më mirë rri një vit dhe nuk del kampion, siç kemi bërë gjithë këto vite dhe do të fitojë lojtarë. Duhet ta kishte bërë, sepse tani merr lojtarë, harxhon para dhe në fund rezultati është po zero. Veç Tiranës, të gjithë të tjerët marrin pjesë në Europë.
Nuk e di cili është problemi dhe përse është shtyrë dënimi i Tiranës. Në gazetë e lexova. Nuk e di kujt t’ia lë fajin, por nuk mund të luhet Tirana-Vllaznia me stadium bosh, s’e kuptoj dot.
Asnjëherë nuk dua të flas kundër tifozëve të Tiranës, por e kanë ekzagjeruar pak. Nuk janë ata tifozët e Tiranës. Janë shumë pak, ama rrëmujën dhe dënimin ia bënë Tiranës, sepse nuk luajti me tifozë ndeshjet në shtëpi”- ka thene Omuri.