Për një ish-lojtar të Bundesligës mund të ketë ardhur koha për të shkëlqyer në arenën europiane. Tomas Brdariç po kryeson me skuadrën e tij, Vllaznia, në tabelën e kampionatit shqiptar. Së shpejti ata mund të kenë shansin për të luajtur në kualifikueset e Champions-it. “Bild” (revista prestigjioze gjermane) foli me ish-lojtarin e kombëtares gjermane, i cili prej verës po punon në Ballkan.

Si po ju ecën në Shqipëri?

Unë jam shumë mirë. Është gjithmonë kështu kur ke një start të mirë në një vend të huaj.

Më parë keni drejtuar në Maqedoni, atëherë gjërat nuk shkuan mirë dhe ju u larguat. Pse?

Shoh gjithmonë përpara. Atëherë ishim të dytët dhe shkuam në finalen e Kupës. Në vende si këto duhet të presësh gjithçka. Shpresoj që këtu në Shqipëri të bëjmë një sezon të mirë dhe të suksesshëm.

Si duken në të vërtetë objektivat tuaj në Shkodër?

Objektivi kryesor është të kualifikohemi në Europa Ligë. Tani kemi luajtur pothuajse kundër të gjitha skuadrave dhe e dimë se si funksionojnë gjërat në kampionat.

Sa ndryshojnë Eseni me Shkodrën?

Në Esen kishim pa dyshim një infrastrukturë më të mirë. Kushtet e stërvitjes këtu nuk janë të mira. I gjithë projekti që kemi nisur mund të funksionojë vetëm nëse nuk shohim rezultatet. Në dy muajt e parë jemi stërvitur më shumë me goditje standarde, pasi fusha e stërvitjes nuk të jep mundësi për të bërë gjëra të tjera. Në ndryshim me kohën kur drejtoja Erfurtin, këtu të gjithë lojtarët janë profesionistë.

A është Shqipëria një trampolinë në karrierën tuaj?

Pa dyshim. Të gjithë trajnerët duhet të tregojnë vazhdimisht veten. Strategjia ime e punës do të ishte perfekte, nëse do të ishin kushtet e duhura. Kjo do të na e lehtësonte shumë rrugëtimin tonë. Jam shumë i uritur dhe dua të bëj hapin e madh me Vllazninë.