Laçi do të luajë ditën e nesërme sfidën e javës së 9-të të kampionatit ndaj Vllaznisë në shtëpi. Kurbinasit pas barazimit në Durrës kërkojnë të rikthehen te fitorja me Duron në stol që do të ketë ndeshjen e dytë me Laçin. Në një prononcim për “RTSH Sport”, Duro u shpreh se skuadra e tij duhet të bëjë kthesën ndaj kryesuesve të kampionatit.

“Shikoj që është një kampionat i ndërlikuar dhe skuadrat të krijojnë shumë probleme. Laçi nuk e ka nisur mirë edhe fati nuk e ka ndihmuar aq shumë.

Vllaznia është një skuadër e mirë dhe rezultatet e kanë ndihmuar dhe nga ana psikologjike. Ne duhet të bëjmë kthesën në këtë ndeshje pasi kualitetet e Laçit para fillimit të sezonit ishin më të mira se Vllaznia.

Është një ndeshje e fortë, por shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv. Debutimin ndaj Teutës ishte pozitiv pasi nuk doja ta nisja me humbje këtë aventurë. Skuadra duhet të forcohet pasi ka pasur disa gabime, por shpresoj të përmirësohemi me kalimin e kohës”, u shpreh Duro./newsport/