Në fillim të punimeve të Asamblesë së Jashtëzakonshme të FSHF-së, ashtu siç ndodh zakonisht në të tilla mbledhje, është mbajtur një minutë heshtje për figurat e futbollit të ndara nga jeta gjatë vitit.

Si rrjedhojë është përkujtuar ish- trajneri i kombëtares Otto Bariç, e po ashtu Nikolin Lorenci, Sazan Velçani, Shkëlqim Troplini, Albert Sanxhaku, Dorian Tahirllari dhe Albert Kaba.

Por ajo që bën përshtypje dhe ndoshta është harruar nga organizatorët e kësaj Asambleje, është “harresa” për të nderuar edhe ish- futbollistin dhe ish- drejtuesin e Klubit Vllaznia Mehdi Milla. Ky i fundit është ndarë nga jeta dy muaj më parë në moshën 75 vjeçare.

Ka qenë futbollist në vitet ’60 me Vllazninë dhe madje ka fituar edhe Kupën e Republikës në vitin 1965 duke qenë edhe në formacionin e finales.

Ka qenë shef i klubit Vllaznia në vitet ’80 dhe po ashtu është rikthyer të drejtojë edhe klubin e futbollit në periudhën kur president ishte Myftar Çela në fundin e viteve ’90.

Siç shikohet, kontributi i Mehdi Millës në futboll është i konsiderueshëm dhe ai e meritonte që të nderohej me një minutë heshtje ditën e sotme gjatë punimeve të Asamblesë së Jashtëzakonshme të FSHF-së.

Të shpresojmë që gjithçka të ketë qenë një harresë dhe me siguri që Federata duhet t’i kërkojë ndjesë familjes së tij, Klubit Vllaznia dhe Shkodrës sepse kontributi i Mehdi Millës nuk mund të harrohet./SHKODRA-SPORT.COM/