Marçelino Preka është një nga lojtarët më të vegjël në moshë në radhët e Bylisit, por që në Ballsh e shohin si element që bën diferencën me bashkëmoshataret e vet, si dhe me perspektivë. Preka ka luajtur me Kombëtaret e moshave dhe tashmë është pjesë e Shqipërisë U19.

Shtatlarti që luan si mbrojtës por edhe në mesfushë, më 2 gusht mbushi 17 vjeç, ndërsa me Bylisin luan rregullisht si titullarë me skuadrën U-21, por ka luajtur edhe me U-19. Ndërsa me skuadrën e parë është aktivizuar në Kupën e Shqipërisë dhe në kampionat 17 minuta ndaj Skënderbeut.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Marçelino Preka, fillimisht u shpreh: “Jam 17 vjeç, por kam debutuar edhe në skuadrën e parë. Gjithsesi, me U-21 luaj rregullisht si titullarë. Jam duke marrë minuta dhe jam duke dhënë më të mirën për Bylisin dhe synimet që ka klubi. Është vlerësim që më bëhet sepse rrallë shikon bashkëmoshatare që luajnë në Shqipëri në Superiore apo me U-21. Unë po punoj shumë dhe jemi me fat që kemi një trajner me shumë eksperiencë.

Eksperienca nga moshat tek ekipi i parë është shumë e madhe ka tjetër nivel dhe tjetër ritëm. Por për ne të rinjtë është fat që kemi një trajner si Dovedan te Bylisi. Edhe zv.trajneri Bekim Kuli, që ka pak kohë qe ka lënë futbollin dhe na mirëkupton, na motivon shumë. Atmosfera në Ballsh është e mirë sepse edhe shumicën e kohës e kalojmë bashkë”.

KOMBËTARET – “Jam bërë pjesë e Kombëtares U-19 pasi kam luajtur me U-17 dhe me U-16. Te Bylisi unë jam ndier mjaft mirë dhe më ka vlejtur kjo eksperiencë pasi duke luajtur me U-21 si titullar gradualisht shpresoj që të kap edhe skuadrën Shpresa U-21. Por e rëndësishme është që ekipi të ketë rezultate pozitive sepse ne jemi të gjithë në Ballsh të realizojmë synimet e ekipit pasi unë jam i ri kam shumë për të mësuar dhe i jam mirënjohës presidentit që më dha mundësinë të luaj në Superiore”, vijoi 17-vjeçari për gazetën.

PARTIZANI – Nesër Bylisi është mysafir i Partizanit dhe në lidhje me situatën dhe këtë takim Preka u shpreh: “Shpresoj që të kemi fat dhe të jemi mes ekipeve më të mira të elitës. Unë kam besim se edhe me Partizanin, skuadra me hovin që ka marrë ndaj Kastriotit dhe anën morale që është shumë ndryshe, do të bëjmë më të mirën”.