Pingpongistët më të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës, janë ndeshur këtë fundjavë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, në kuadrin e Ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë.

E veçanta e këtij aktiviteti ishte se krahas ndeshjeve për Ligën e përbashkët, Shqipëri-Kosovë, është inauguruar edhe salla e re e pingpongut për ekipet e Vllaznisë, duke i dhënë fund kështu vuajtjeve që pingpongistët shkodranë kishin në realizimin e proçesit stërvitor.

Ky është një lajm shumë i mirë për komunitetin e pingpongut të qytetit verior, pasi për hir të së vërtetës, gjatë periudhës së fundit, ekipet kuqeblu nuk kanë pasur kushte të përshtatshme stërvitore.

Me këtë inaugurim, rezultatet e pingpongistëve shkodranë do të kenë një rritje të shpejtë dhe të dukshme, ashtu si dikur, kur Vllaznia si ekip dhe si individë, fitonte trofe kombëtar.

Sekretrari Binoshi bëri të ditur, se ndërtimi i sallës së re të pingpongut në Shkodër është shoqëruar me plotësimin e saj me një nga bazën materiale më bashkëkohore, gjë e cila do të thotë se shumë shpejt, rezultatet e pingpongistëve shkodranë do të kenë një rritje të shpejtë dhe të dukshme.
Maringlen ZHIVANI