Shqipëria e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja, do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e parë eleminatore në Nations League, ndaj Islandës në transfertën e Reykjavikut. Përpara debutimit, kapiteni Berisha ka dalë në konferencën zyrtare për mediat, ku ka theksuar se skuadra ka punuar mirë gjatë këtyre ditëve në stërvitje dhe se janë gati për të dhënë maksimumin dhe luftuar për fitore.

Kapiteni Etrit Berisha kërkoi përqëndrim maksimal nga skuadra, që të nisë në mënyrën më të mirë rrugëtimin në Nations League. Ai u shpreh se kanë pasur kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë ndeshje, ndërsa theksoi që sot ndaj Islandës duhet të bëjnë një ndeshje të zgjuar.

“Kemi pasur kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj që jemi gati të bëjmë një ndeshje të bukur. Kemi treguar futboll të mirë edhe në ndeshjet e kaluara, përfshi këtu edhe miqësoren ndaj Spanjës.

Edhe nesër duhet të bëjmë një ndeshje të zgjuar, pasi Islanda është mirë fizikisht. Megjithatë, ne do të hyjmë në ndeshje për të fituar dhe për të shpresuar në një kualifikim në Europian.

Islanda këtu është gjithmonë e rrezikshme. Edhe në ndeshjen e fundit në Izrael ishin duke fituar, pasi kanë cilësi.
Megjithatë, ne do të shohim rrugën tonë, pasi jemi përgatitur dhe kemi kualitetin e duhur për të fituar. Ne duhet jo vetëm të fitojmë grupin, por edhe të sigurojmë kualifikimin në Europian. Çdo gjë tjetër do të jetë një dështim, pasi i kemi të gjithë mundësitë të luajmë një tjetër Europian.

Dy humbjet minimale në Islandë? Shpresoj shumë që të ndryshojmë trendin, pasi e thashë edhe më herët që Islanda është shumë e vështirë këtu në shtëpi. E kujtoj shumë mirë ndeshjen e 2012-ës dhe aty u komplikua rrugëtimi ynë drejt Botërorit. Tani shpresoj të jetë e kundërta dhe të nisim rrugën drejt Europiani”, përfundoi fjalën e tij kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha.
Maringlen ZHIVANI