Familja Dedja është një prej atyre që ka dhënë kontribut maksimal te Vllaznia. Hysen Dedja ka luajtur për 17-vite si futbollist, ndërsa i vëllai, Menduhi ka veshur për 14-vite fanellën kuqeblu, duke dalë dy herë kampion. Plot 31-vite në fushë që të dy.

Në fakt, Hysen Dedja është një nga ish-futbollistët më të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Ish-mbrojtësi i shquar dhe kapiteni i Vllaznisë ka fituar pesë trofe me kuqeblutë, dy kampionate, në sezonet 1982-1983 dhe 1991-1992, si edhe tre Kupa të Shqipërisë, 1978-1979, 1980-1981 dhe 1986-1987. Ai debutoi me shkodranët më 16 tetor 1978, në ditëlindjen e tij të 18-të kundër Flamurtarit.

Ndërkohë që, si trajner i saj ka dalë kampion në sezonin 1997-1998. Ai ka fituar edhe titullin kampion Ballkani me Shpresat në vitin 1981.

Si trajner, Hysen Dedja përveç Vllaznisë, ka drejtuar edhe Bylisin, Lushnjën, Luftëtarin, Teutën, Erzenin, Egnatian dhe Laçin. Poashtu si trajner, Hysen Dedja ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare në Kupën UEFA, në vitet 1999-2000 me Bylisin, ku u eliminua nga sllovakët e Interit të Bratislavës dhe me Teutën në Kupën Intertoto në 2002 me Valletën e Maltës, si edhe Kupën UEFA, në vitet 2007-2008 kundër kroatëve të Slaven Belupos.

Në vitin 2017, ai u bë trajner i Lushnjës pas 8-vitesh pa klub. Në jetën personale, Hysen Dedja është kunati i Astrit Hafizit, i cili gjithashtu ka luajtur për Vllazninë dhe ka drejtuar klubin shkodran, si edhe ekipin e Kombëtares së Shqipërisë. Profesor Hysen Dedja është tashmë në moshën 61-vjeçare, por vitet janë thjesht një numër. Jetë të gjatë profesor Dedja!
Maringlen ZHIVANI