Opinion nga Admir URUÇI

Te Vllaznia lëvizjet do të fillojnë pas 30 qershorit. Pakkush, për të mos thënë askush në klubin shkodran, e ka mendjen te ribërja e skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Drejtuesit e klubit janë të fokusuar totalisht te zgjedhjet, çka e ka bërë të ditur vetë numri një i presidencës kuqeblu, Agron Çela. I fokusuar te politika, duket se Vllaznia ka dalë në një farë mënyre në plan të dytë, paçka se një gjë e tillë nuk thuhet në mënyrë direkte. Te Vllaznia mbizotëron heshtja, nuk po lëviz asgjë sa i përket merkatos. Ndërsa, nga ana tjetër, nuk ka asnjë rinovim me ish-lojtarët e sezonit të shkuar, të cilëve u kanë përfunduar kontratat me kuqeblutë. Mirëpo, nga ajo që mësohet edhe nga ana e drejtuesve të klubit, situata te Vllaznia do të “zhbllokohet” vetëm pas datës 30 qershor, kur angazhimet politike të drejtuesve më të lartë të klubit të kenë marrë fund.
Riformatimi i skuadrës për sezonin e ri do të nisë nga lojtarët aktualë. Përveç emrave të larguar, janë të shumtë ata që u kanë përfunduar kontratat dhe që ende nuk kanë marrë një ofertë zyrtare nga ky klub. Kështu, Vujadinoviçit, Dragoit, Belishës, Tafilit e ndonjë tjetër, ende nuk u është bërë një ofertë zyrtare nga klubi. Nga ana e tyre, quhen pjesë të Vllaznisë, por deri më tani nuk ka gjë konkrete. Për lojtarët aktualë duket se nuk do të jetë krejt e lehtë për të rinovuar, pasi vijojnë të jenë të pritje të rrogave të prapambetura që shikohen si një pengesë momentale. Megjithatë, deri më tani Vllaznia në bilancin e saj ka vetëm lojtarë të larguar dhe vetëm dy të afruar, edhe ato nëse mund të quhen të tillë. Dy lojtarët e Zetës, Goran Buzaloviç kapiten i kësaj skuadre dhe mbrojtësi i majtë Ivan Novoviç, kanë pranuar të jenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri. Por, në kontratat e tyre mungon firma e përfaqësuesve të bashkisë, çka bën që këta lojtarë ende të mos kenë një kontratë të rregullt. Deri më tani te Vllaznia ka vetëm emra e hamendësime dhe asgjë konkrete.