Pas muajsh të tërë ndeshjesh dhe përballjesh, u ka ardhur fundi kampionateve të LIgës Amatore edhe të Zonës së Veriut. Kanë qenë katër të tillë të zhvilluar, për 11, 13, 15 dhe 19 vjeçarë dhe numri I madh I ekipeve pjesmarrëse sigurisht  ka bërë që edhe interesimi për to në Shkodër dhe rrethinat pranë saj të jetë I madh. Vetëm në zonën e Shkodrës kanë qenë mbi 1 mijë fëmijë të angazhuar në këto katër kampionate, të inkuadruar në plot 49 ekipe, pa përmendur edhe rreth 20 ekipe dhe mbi 300 fëmijë të Rajonit të Lezhës që gjithsesi përfshihen në Zyrën Rajonale të Veriut të drejtuar nga emri I madh I futbollit shkodran dhe atij shqiptar Hysen Zmijani. Në një mori të tillë ndeshjesh, ekipesh dhe futbollistësh, natyrshëm që ka patur edhe probleme të vogla megjithatë e përgjithshmja ka qenë positive. Aq sa dy ditë më parë, në ceremoninë përmbyllëse të kampionateve, të gjithë pjesmarrësit janë dukur të kënaqur me atë çfarë kanë dhënë por edhe marrë prej këtij sezoni futbollistik.


Ka qenë një festë e vërtetë sportive në komplesin sportiv “Zmijani” teksa kanë marrë pjesë përveç ekipeve sportive edhe veteran dhe figura të shquara të sportit si Paulin Ndoja, Armir Grima, Avenir Dani, Isa Sukaj, Nikoll Gjergji apo dhe ish- presidenti I Vllaznisë Valter Fushaj që vazhdon të jetë një admirues dhe mbështetës I rregullt I ekipeve të moshave në Shkodër. Ka patur kupa për ekipet kampione, ka patur diploma për sportistët më të mirë, për golashënuesit më të mirë, për futbollistët e perspektivës, trajnerët më të mirë e shumë e shumë të tjera. Janë vlerësuar përveç trajnerëve kampionë, Rudi Piraniqi, Luan Zmijani,  Alban Volumi e Elis Legata, është përmendur edhe puna pasionante e trajnerëve të perspektivës Erjon Hasaj (Rozafa U-11), Valmir Kurti (Ada U-13), Selami Pepa (Vraka U-15) dhe Fatbardh Dema (Djelmënia shkodrane U-19).  Po ashtu janë evidentuar edhe ekipet fair- play e pikërisht Vllaznia tek U-11, Shkodra B tek U-13, Oblika tek U-15 dhe AAS tek U-19. Ka patur diploma edhe për ekipet e sakrificës, Bajzën, Berdicën, Oblikën dhe Arrën e Madhe.  Zyra Rajonale ka evidentuae edhe portierët e perspektivë, Ormen Zhanaj (Rozafa U-11), Alsad Meta (Ada U-13), Mario Deda (Djelmënia shkodrane U-15) dhe Redmir Lopçi (The Door U-19). Në Shkodër natyrisht që është e vështirë t’I ndash fituesit, pavarësisht se dikush duhet të jetë I pari dhe dikush tjetër I dyti. E rëndësishme është që kjo tokë vazhdon “të pjell” talente, paçka se disa më pas nuk trajtohen ashtu siç duhet rrugës dhe nuk mbërrijnë në “destinacion” tek Vllaznia. Megjithatë, në këtë qytet punohet shumë. Ka një pasion të jashtëzakoshëm për këtë lojë dhe kjo është ajo që duhet përmendur me çdo kusht. Ekipet private shtohen çdo ditë por sigurisht që “ombrella” ku mblidhen më të talentuarit është Akademia Vllaznia. Jo më kot, ekipet e saj janë kampione.

 

Hysen Zmijani: Fëmijët shkodranë “të çmendur” për futbollin

I vetëm në krye të kësaj Zyre megjithatë ia ka dalë me sukses të përballojë një sezon shumë të vështirë. Shumë ndeshje, mbi 1000 fëmijë vetëm në Zonën e Shkodrës të kaluar çdo ditë nëpër duar, që nga plotësimi I dokumentacionit dhe çdo gjë tjetër, e kanë lodhur jo pak. Megjithatë Hysen Zmijani, ky emër I madh I futbollit shkodran dhe atij shqiptar ndjehet edhe mirë. Për të vetmen arsye sepse sheh një interes të jashtëzakonshëm për futbollin në këtë qytet e prandaj si pjesë e rëndësishem e kësaj loje magjike, e vlerëson këtë gjë. Kampionatet tashmë kanë përfunduar dhe shefi I Zyrës Rajonale të FSHF-së është I gatshëm të bëjë edhe një bilanc të gjithë punës së bërë. Të evidentojë edhe vështirësitë, të thotë edhe problemet që ka hasur megjithatë më shumë ndalet tek perspektiva e këtyre fëmijëve sepse futbolli shkodran, gjithnjë nëse punohet mirë edhe në vazhdim, nuk do ketë nevojë të blejë më 10 apo 12 të huaj në një sezon.
-Zmijani, keni mbyllur me një ceremoni shumë interesante një sezon futbollistik për gjithë kampionatet e Zyrës Rajonale që ju drejtoni. Ndjeheni më I çliruar tashmë që gjithçka u mbyll apo do ju mungojnë këto kampionate?
-Sinqerisht që ndjehem shumë I lodhur. Nuk është pak të drejtosh disa kampionate të këtyre moshave ku marrin pjesë mbi 1 mijë fëmijë, me  564 ndeshje të zhvilluara në total. Megjithatë jam mbështetur edhe tek stafi im, dy vëzhguesit Isa Sukaj dhe Fatmir Paçrami, kam patur mbështetjen e rreth 30 gjyqtarëve të Kolegjiumit të Shkodrës po ashtu edhe stafin mjekësor. Të gjithë sëbashku ia dolëm t’I mbyllim me sukses këto kampionate. Natyrisht gjatë këtyre muajve të verës do më mungojë kjo punë e përditshme sepse më kanë marrë jo pak orë të ditës gjatë gjithë kësaj periudhe megjithatë besoj se do vijnë shpejt ndeshjet.
-Një pjesmarrje shumë e madhe. Çfarë po ndodh me futbollin e moshave në Shkodër?
-Një interesim I jashtëzakonshëm. Ekipe që shtohen përditë. Fëmijë që duan të luajnë futboll dhe kjo është shumë positive në fakt sepse I largon ato nga rruga dhe veset e tjera të këqija. Pjesmarrja e sivjetme ka qenë më e madhja ndonjëherë, një masivizim I jashtëzakonshëm. Kam frikë se sezonin tjetër, nëse do ketë ekipe të tjera që do duan të federohen dhe të marrin pjesë në kampionat, nuk do mund ta bëjnë këtë gjë. Kemi kaluar çdo limit të pjesmarrjes sepse kemi një staf shumë të vogël njerëzish që merren me organizimin e këtyre kampionateve.
-Përmendët masivizimin e jashtëzakonshëm, por a ka cilësi në këto ekipe dhe në këto kampionate?
-Ku ka masivizim sigurisht që ka edhe cilësi. Kuptohet që e rëndësishme është që fëmijët të merren me futboll dhe me kalimin e moshave, natyrisht që duhet të fillojë të hyjë në punë edhe sita për të grumbulluar më të mirët tek Vllaznia sepse aty I kanë sytë të gjithë.
-Kaq shumë ndeshje, kaq shumë ekipe dhe fëmijë por a ka pasë probleme ky sezon që sapo u mbyll?
-Ka patur probleme të vogla megjithatë çdo gjë ka kaluar dhe është zgjidhur me mirëkuptimin e palëve. Ajo çfarë konstatoj unë është se disa trajnerë janë të etur për rezultat, çka nuk është primare për punën me këto mosha. Dikush e bën për të ruajtur vendin e punës, dikush tjetër për të mbajtur fëmijët në ekip megjithatë kampionatet kanë rregullat e veta dhe në fund të gjithë I zbatojnë.
-Vihet re që në kampionatet e 11 dhe 13 vjeçarëve keni hequr pikëzimin megjithatë si I keni përzgjedhur ekipet më të mira?
-Kjo është e vërtetë. Në kampionatet e 11 dhe 13 vjeçarëve nuk ka pikëzim të ndeshjeve. Thjesht, vëzhguesit vlerësojnë me plus ekipin më të mirë të ndeshjes dhe në fund kush ka më shumë pluse shpallet kampion. Kam qenë dhe jam partizan I asaj që nuk duhet të luftojmë për rezultat në këto grupmosha, pse jo ta heqim pikëzimin deri në kampionatin e 17 vjeçarëve siç është propozuar edhe në Gjermani nga I madhi Bekembauer.
-Megjithatë në mendimin tuaj, a kanë fituar ekipet më të mira?
-Mendoj që po. Janë shpallur kampionë ato ekipe që kanë bërë një performancë më të mirë gjatë gjithë sezonit dhe këtë nuk mund ta kontestojë askush.
-Zmijani, po flasim për futbollin e moshave në Shkodër megjithatë Vllaznia e madhe ka vuajtur për lojtarë këto vitet e fundit dhe skuadra shpeshherë është mbushur me të huaj. Cila është këshilla juaj me këtë rast?
-E kam ngritur disa herë zërin. Duke rregulluar pak punën në futbollin e moshave, sidomos tek Akademia Vllaznia, sot nuk do kishim nevojë të blinim shumë lojtarë të huaj. është e pafalshme për këtë skuadër të blejë një mori futbollistësh të huaj duke patur brumin e vet. Shkodra ka nxjerrë dhe do vazhdojë të nxjerrë lojtarë të talentuar. E rëndësishme është vetëm të punohet mirë me ta dhe të promovohen në kohën e duhur.
Gjergj KOLA

Alban Volumi: Të nxjerrim lojtarë për Vllazninë dhe ekipet kombëtare

Ka dalë kampion me 15 vjeçarët ndonëse finalja ka qenë paksa dramatike. Alban Volumi duke drejtuar ekipin e Akademisë Vllaznia për këtë grupmoshë, ka ndeshur në një rivalitet të madh tek ekipi I Vrakës me trajner Selami Pepën. Ekipet vinin me një pikë epërsi në favor të kuqebluve në këtë ndeshje të fundit të play-off-it dhe barazimi 1-1 në të, I ka dhënë mundësinë Vllaznisë të shpallej kampione. Trajneri I saj Volumi është shumë I kënaqur me suksesin e arritur mbi të gjitha për punën e bërë gjatë gjithë vitit. Ai nuk flet vetëm për trofetë (ka marrë edhe kupën sivjet përveç kampionatit), flet edhe për mënyrën si është punuar dhe cili ka qenë prioriteti I tij. “Kur shpallesh kampion sigurisht që është bukur edhe për fëmijët por edhe për ne si trajnerë megjithatë edhe nisur nga ajo çfarë kanë kërkuar drejtuesit e klubit Vllaznia prej nesh, puna jonë nuk ka qenë shumë e përqendruar tek triumfi me çdo kusht. Nëse kemi fituar ndaj ekipeve të tjera, e kemi bërë këtë përmes një futbolli të bukur, përmes një loje rezultative me shumë takime siç e ka pasë traditë futbolli shkodran. Për pasojë, kanë ardhur edhe golat e shumtë. Mjafton t’iu them se duke marrë sëbashku edhe ndeshjet e kupës së këtij sezoni, golaverazhi I ekipit tim është 150 gola të shënuar dhe vetëm 30 të pësuar. Përveç kësaj, konstatoj një pjekje morale të futbollistëve, është punuar mirë nga ana psikologjike dhe edukative me to. Objektivi jonë si trajner është të përcjellim elementin më të mirë tek 17 vjeçarët aktualisht për mua e përpos kësaj të dërgoj më të mirët edhe në ekipet kombëtare. Katër futbollistë të Vllaznia U-15 janë pjesë e ekipit kombëtar të Zonës së Veriut dhe pikërisht Arlind Demaj, Rubin Hepaj, Arbër Kraja dhe Endi Brahimi. Dy prej tyre madje sëfundi janë të grumbulluar në kombëtaren e 16 vjeçarëve nga trajneri Mustedanagiç në turneun miqësor që është duke u zhvilluar në Durrës dhe bëhet fjalë për Demajn dhe Hepajn. Në këtë mënyrë, unë mendoj se është plotësuar kuadri I përgatitjes së një sportisti dhe prandaj jam shumë I kënaqur me atë çfarë kemi arritur”- thotë Volumi.  Gjatë ceremonisë së marrjes të kupës interesant ishte fakti se sportistët e këtij ekipi kishin veshur disa fanella të bardha ku shkruhej: Mësuam, fituam, kampion”. Vllaznia në fakt në kampionatin e 15 vjeçarëve është përfaqësuar me dy ekipe teksa Vllaznia B e drejtuar nga Gjergj Shllaku ka zënë vendin e katërt ndonëse ka në përbërje futbollistë me datëlindje një vit më të vegjël dhe kjo është shumë pozitive. 

Luan Zmijani: Përveç suksesit, punojmë për perspektivën

Me ekipin e tij ka fituar gjithçka edhe këtë sezon. Fillimisht kupën dhe tashmë edhe titullin kampion. Drejton 13 vjeçarë por I trajton sikur të jenë pjesë e një ekipi të rriturish. Sigurisht që futja e mentalitetit fitues tek këta fëmijë që në këtë moshë, është diçka pozitive dhe Luan Zmijani e ka këtë sens të punës. Ish-futbollisti I njohur I Vllaznisë, Partizanit por edhe ekipit kombëtar në disa ndeshje, prej disa sezonesh punon me moshat tek Akademia Vllaznia. Ka qenë shumë I suksesshëm si në arritjen e rezultateve pozitive, ashtu edhe në nxjerrjen e elementit me perspektivë. Në ndeshjen e fundit të këtij sezoni, atë ndaj ekipit të Adës, skuadra e drejtuar prej tij ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 duke mos e vënë asnjëherë në dyshim ngritjen e trofeut në fund të saj. I pyetur pikërisht në lidhje me këtë ndeshje të fundit, trajneri Zmijani megjithatë ndalet më shumë tek ecuria e gjithë kampionatit duke thënë: “Sa I takon ndeshjes së fundit, asaj finale me Adën, ajo nuk kishte shumë histori sepse fituam lehtësisht. Megjithatë më duhet të them se ka qenë një kampionat shumë I fortë. Pjesmarrja e plot 18 ekipeve, e ka bërë një kampionat shumë interesant sepse fëmijët kanë patur mundësinë të tregojnë vlerat e tyre të vërteta në ballafaqimet e shumta me ekipet rivale. Konkurrenca kryesore ka qenë me ekipin e Adës sepse ai ka udhëhequr thuajse gjatë gjithë kohës kampionatin me tre pikë avantazh megjithatë në fund e kaluam dhe u shpallëm ne kampionë me meritë”. Por më shumë sesa titujt dhe trofetë, e rëndësishme për të si trajner kuptohet që është nxjerrja e elementit cilësor për të ardhmen e Vllaznisë dhe të futbollit shkodran. Ndonëse është herët për të dhënë emra, Luan Zmijani evidenton tre futbollistë mbi gjithë të tjerët duke thënë se ata I kanë të gjithë elementet e duhura për të ecur përpara në karrierën e tyre. “Në kushtet aktuale, unë si trajner e kam paksa të vështirë të përmend emra megjithatë mund të them se janë tre futbollistë mbi të tjerët. Bëhet fjalë për një mbrojtës- Serjan Repaj, një mesfushor- Uhejd Hoxha dhe një sulmues- Erisand Hasaj të cilët bien në sy për veçoritë e tyre dhe jam I bindur se të tre këta futbollistë kanë një të ardhme të sigurtë përpara”-ka thënë trajneri I ekipit Vllaznia U-13.

Ekipet pjesmarrëse:
U-11    5 ekipe
U-13    18 ekipe
U-15    17 ekipe
U-19    9 ekipe

Lojtari më I mirë I vitit:
U-11    Gerald Smajli (Shkodra)
U-13    Serjan Repaj (Vllaznia)
U-15     Sinisha Rajçeviç (Vraka)
U-19    Randi Qallekaj (The Door)

Sportistët e perspektivës:
U-11
Enes Popaj (Vllaznia
Xhoni Tinaj (Don Bosko)

U-13
Eraldo Deda (Labeat)
Gerald Mehja (Ada)

U-15
Endi Brahimi (Vllaznia)
Sebastian Kolbuçaj (Djelmënia shkodrane)

U-19
Zabit Mehmetaj (Shkodra)
Brilant Hasaj (Djelmënia shkodrane)

Golashënuesit më të mirë:
U-11    Rejan Alivoda (Shkodra)
U-13    Muhamedin Lisaj (Rozafa A)
U-15    Rubin Hepaj (Vllaznia A)
U-19    Marjan Marku (Labeat)

Trajneri më I mirë I vitit:
U-11     Rudi Piraniqi (Shkodra)
U-13    Luan Zmijani (Vllaznia)
U-15    Alban Volumi (Vllaznia)
U-19     Elis Legata (The Door)