Vllaznia kërkon të për forcojë mbrojtjen dhe drejtori sportiv, Tefik Osmani, do të nisë afrimet në merkaton e janarit pikërisht nga ky repart.

Sipas “Panorama Sport”, i preferuari për prapavijën është Hysen Memolla, i cili prej një viti luan me Egnatian. Mirëpo, në pjesën e parë të këtij sezoni, 31-vjeçari rrogozhinas është gozhduar në stol dhe nga 18 javë kampionat, ka luajtur 6 ndeshje, në të cilat vetëm dy herë si titullar.

Duke qenë se lojtari nuk preferohet më nga trajneri Edlir Tetova për qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës, shanse për t’u larguar nga Egnatia në janar janë të mëdha. Mirëpo, më parë Memolla duhet të zgjidhë marrëveshjen me klubin e Egnatias, për t’i hapur zyrtarisht rrugën transferimit në Shkodër.

Bisedimet paraprake mes lojtarit dhe drejtuesve kuqeblu kanë kohë që janë bërë, por gazeta zbulon së fundmi, se një “asist” për këtë transferim e ka dhënë sulmuesi Bekim Balaj. Ky i fundit mësohet se ka një raport të shkëlqyer me Memollën, që nga koha kur të dy bënin pjesë në Kombëtaren shqiptare.

Vetë shkodrani është futur tashmë “shkes” për llogari të klubit kuqeblu, me synimin për të bindur Memollën që të pranojë ofertën e Vllaznisë. Gjithçka mbetet për t’u parë në muajin janar, në një kohë që kohë që Memolla ka edhe oferta të tjera. Madje, mes skuadrave që interesohen është edhe Flamurtari, që mund të bëjë një sakrificë financiare për mbrojtësin.