Mesfushori i Kombëtares, Odise Roshi, ka firmosur për klubin e tij Akhmat Grozni edhe për 3 vite të tjera, ndërkohë që sulmuesi shkodran, i ka dhënë fund aventurës me skuadrën ruse pas plot 3 sezonesh.

 

balaj roshi

 

Gjatë mesditës së djeshme, para se Grozni të luante sfidën ndaj Rostov, e cila përfundoi 1-0 në favor të skuadrës së shqiptarit, klubi ka bërë publik vendimin për të shtyrë qëndrimin e shqiptarit në Çeçeni. Skuadra nga ky rajon në Rusi është bindur nga forma dhe paraqitjet e mesfushorit kuqezi, me të cilin ka vendosur të rinovojë edhe për 3 vite. Me anë të një njoftimi në faqen zyrtare në “Twitter”, është publikuar edhe dakordësia mes Groznit dhe Roshit.

 

roshi

 

“Mesfushori Odise Roshi do të kalojë 3 vitet e ardhshme në klub. Palët nënshkruan një kontratë 3-vjeçare. Roshi mbërriti në verën e vitit 2016. Në sezonin e fundit, për shkak të lëndimit ai u aktivizua në vetëm 12 ndeshje”, shkruan klubi. Pas operacionit në gju dhe rikthimit nga një dëmtim i rëndë, duket se ky rinovim është si dhurata më e mirë që Roshi mund të merrte nga klubi, në prag të grumbullimit me Kombëtaren.

 

Balaj

 

Ndërkohë për sa i përket sulmuesit Balaj, shkodrani mesa duket do të nise një aventurë të re jashtë Rusisë. Nëpërmjet një postimi në “Instagram”, shqiptari falenderon klubin e Akhmatit për 3 vitet të cilat ai i ka konsideruar të bukura. Këtë sezon Balaj u aktivizua 22 takime me fanellën e Akhmatit, teksa realizoi 3 gola.