Kastrioti i pjesës së dytë të sezonit i është afruar shumë një mrekullie me kuptimin e plotë të fjalës. Një skuadër e cila shihej si e rënë pas dy fazave të para, u kthye në një nga ekipet më rezultative në pjesën e dytë të sezonit duke marrë fitore thuajse ndaj çdo kundërshtari e duke ndezur ashpër luftën për mbijetesë.

Por fitorja e Tiranës me Laçin duket se i ka mbyllur çdo shteg krutanëve, edhe pse ata vetë mundën një ekip me pretendime si Teuta.
Ndaj me vërshëllimën përfundimtare, në vend të gëzimit për suksesin, kishte trishtim në radhët e kësaj skuadre, duke filluar nga trajneri Bledar Devolli.

Ky i fundit, një tip dukshëm emocional edhe me mënyrën si drejton në pankinë, ndërpreu në mes intervistën me “SuperSport, pasi nuk mbante dot lotët, duke qëndruar për disa çaste i përlotur në pankinë.

“Nuk kemi më shpresë. Duhet të kishim fituar në Tiranë, në ndeshjen direkte, por nuk ia dolëm. Më vjen shumë keq. U jam mirënjohës futbollistëve, gjithë jetën time, për atë që kanë bërë”, ishin fjalët e Devollit mes ngashërimeve, një mesazh që tregon qartë se te Kastrioti nga sot kanë filluar të mendojnë për planin si të kthehen sa më shpejt në Superiore. /vipsport/