Në Shkodër, pakënaqësitë rreth ecurisë së Vllaznisë, janë të mëdha dhe qëndrimet të ndryshme. Ish-futbollisti dhe kapiteni i shkodranëve, Amarildo Belisha, tashmë trajner futbolli me moshat, i ftuar në emisionin sportiv “Sport Arena” në TV Rozafa, deklaroi ndër të tjera se tempi i lojës së Vllaznisë ka rënë, teksa fajtor të kësaj situate, ai konsideron edhe gjyqtarët e ndeshjeve, që thotë se kanë ndikuar në ecurinë e ekipit shkodran.
“Tempi i lojës së Vllaznisë ka ra pak të them të drejtën. Ndoshta, edhe për shkak të disa faktorëve them unë. Nuk them se është komplet ekipi fajtor i kësaj situate.
Besoj që janë edhe ndeshjet që po luhen shumë shpejt, dëmtimet. Si dëmtimet fizike, ashtu edhe dëmtimet nga ana e gjykimit, për mendimin tim. Gjykimi ka pasur pjesën e vet në ritmin dhe në ecurinë e ekipit.
Të them të drejtën, sot i pashë të dy ekipet, si Kukësin, ashtu edhe Vllazninë, që ishin futur në fushë, për të mos humbur dhe po prisnin momentin kur njëri ekip të gabojë dhe të marrë trepikëshin. Më tepër, ta rrëmbejë se sa ta meritojë ose ta fitojë ndeshjen.
Ishte një ndeshje me pak fragmente, me pak raste. Më shumë me lojë në mesfushë, me dyluftime, por jo ritmin që jemi mësuar të shohim si Vllazninë, ashtu edhe Kukësin”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha.
Maringlen ZHIVANI