Nëse ka një ndeshje që do të jetë e shumëpritur këtë javë në Abssisnet Superiore, do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Dy skuadrat elitë të futbollit do të përplasen mes tyre, ku do të vendoset ndoshta edhe fati i të dy ekipeve për vazhdimësinë e tyre. Këtë të shtunë, në “Loro Boriçi”, shkodranët do të presin kryeqytetasit, duke filluar nga ora 16:45.

Ndeshja do të luhet për llogari të javës së 25-të në Abissnet Superiore. Aktualisht, Vllaznia renditet në vendin e katërt të Superiores, me 39 pikë. Tirana renditet në vendin e parë me 53 pikë, 8 pikë larg ndjekësit më të afërt, që është Laçi në vendin e dytë, me 45 pikë.

Në dy ndeshjet e luajtura këtë sezon përballë Tiranës, Vllaznia ka arritur një humbje dhe një barazim. Asnjë gol të shënuar dhe dy të pësuar për shkodranët.

Ndeshja e fundit mes dy skuadrave, e luajtur dy muaj më parë, përfundoi me barazimin pa gola, 0-0. Ndërkohë që, në “Loro Boriçi”, përballja e fundit mes tyre, ishte në nëntor të vitit të kaluar, e përfunduar në shifrat 2-0 për bardheblutë.

Ndeshja Vllaznia-Tirana, e vlefshme për javën e 25-të të Abissnet Superiore, do të luhet të shtunën në “Loro Boriçi”, duke filluar nga ora 16:45.
Maringlen ZHIVANI