Barazimi pa gola i Vllaznisë me Kukësin, ka sjellë pakënaqësi për opinion sportiv në përgjithësi sepse kjo ndeshje nuk prodhoi një futboll të bukur ashtu siç pritej, ngaqë ndesheshin dy ekipet që kanë prodhuar lojërat më të bukura në këtë kampionat.

Sipas analistit të futbollit, Fatmir Mneri, ky ishte një 90-minutësh që duket se më shumti i shërbeu trajnerëve të dy skuadrave, që sipas tij ishin fare pranë shkarkimit.

Këto deklarata Mneri i bëri në prononcimin e tij gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në “RTSH Sport”. “Në ndeshjen Kukësi-Vllaznia, unë pashë një lloj “koncerti”.

Mund të tingëllojë edhe pak e tejkaluar, por duke hedhur mënjanë ruajtjen e ekuilibrave dhe duke folur troç fare, ishte një ndeshje për të ruajtur prapanicat e të dy trajnerëve, sepse po të humbisnin, të dy do të merrnin valixhet”,-tha gjatë prononcimit të tij, analisti i futbollit, Fatmir Mneri.
Maringlen ZHIVANI