Etrit Berisha, kapiteni i kombëtares shqiptare, ka dalë para mediave në prag të ndeshjes që kuqezinjtë luajnë kundër Hungarisë. Portieri, i cili është pjesë e Torino në Serie A, ka deklaruar fillimisht:

“Kemi luajtur prej gati dy vitesh pa tifozë. Është trishtim të luhet pa ata. Sërish duhet të luajmë pa ata. Në fund të fundit futbolli është për tifozët. Një fitore me ta do ishte më e madhe. Gjithsesi jemi të përqendruar te ndeshja, mendojmë për lojën dhe për të marrë fitoren, jo për pjesën e tifozëve”.

“Këto ndeshje na kanë ndihmuar të shikojmë nivelin e kundërshtarit. Jemi të sigurt që mund të bëjmë gjëra të mëdha. E kemi treguar, fitorja me Hungarinë na ka dhënë vetëbesim për ëndrrën tonë. Shpresoj të fitojmë nesër dhe t’i afrohemi ëndrrës tonë. Pastaj ndeshja me Poloninë do ishte më e lehtë”.

“Hungaria ka lojtarë me kualitet, por grupi është arma e tyre. Nuk kanë një yll, si ekip janë paraqitur mirë. Nesër do jetë një ndeshje e bukur. Kemi avantazhin e ndeshjes së parë, që kemi bërë një ndeshje të mirë. Shpresoj të vazhdojmë me atë ritëm dhe ta fitojmë ndeshjen”.

Shqipëria përballet me Hungarinë në “Puscas Arena”, nesër prej orës 20:45. Kuqezinjtë renditen në vendin e dytë në grup, me një pikë më shumë se Polonia.