Futbollisti i Dinamos, Bernard Berisha, sqaroi reagimin e futbollistit Malomo që në momentin e golit të shënuar ndaj Vllaznisë, u pah i habitur, duke mos zgjedhur të festonte. Në një lidhje direkte për emisionin “Mega Sport”, i pyetur në lidhje me reagimin e Malomos, Berisha u shpreh:
“E biseduam këtë çështje të gjithë lojtarët, me futbollistin që shënoi golin dhe na tha kam menduar që është në pozicion të parregullt. Kjo ka qenë përgjigja e Malomos.
Të jem realist, jo vetëm kjo ndeshja me Vllazninë, por edhe ndaj Elbasanit, ne do të luajmë, sepse nuk kemi presion. Do luajmë lojën tonë që t’i kënaqim tifozët. Shanset për titullin në këto momente janë shumë të vogla.
Ne duhet të luajmë dhe të luftojmë fortë që edhe opinioni edhe sportdashësit, ta kuptojnë që nuk fitohet loja në tavolina, loja fitohet në fushë”, deklaroi Bernard Berisha.


