Superliga e basketbol lit të meshkujve ka zhvilluar dje takimet e javës së 18-të. Teuta fitoi bindshëm kryendeshjen e javës kundër Tiranës, ndërsa Besëlidhja likuidoi në shifra të thella Apoloninë. Kështu, durrsakët dhe lezhjanët vijojnë marshimin e tyre me pikë të barabarta në krye të tabelës, por në vend të parë mbetet skuadra e drejtuar nga Melzin Lazimi falë bilancit më të mirë në përballjet direkte.

Lezhjanët e Afrim Bilalit nuk falën përballë fierakëve, teksa triumfuan thellë 94-64 (21-17, 28-12, 20-22, 25- 13) në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Besëlidhja e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, duke i fituar këto fraksione në shifra të thella, për të hipotekuar suksesin e 14-të në kampionat. Jordan Robinson me 22 pikë, 11 ribaunde dhe 7 asiste bëri edhe një herë tjetër liderin për lezhjanët.

Në kampin fierak, më i miri ishte Curtis Jenkins, autor i 21 pikëve, 9 ribaundeve dhe 4 asisteve. Apolonia duket e sigurt tashmë në “play out”, aty ku me shumë mundësi do të gjejë Partizanin, në betejën për një vend në elitë në sezonin e ardhshëm.

Tashmë kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit të rregullt, për t’i lënë më pas vend pjesës së nxehtë të kampionatit, “play off”-it, aty ku do të vendosen edhe fatet e titullit kampion.