Besëlidhja  u mposht të shtunën nga Burreli i vendit të fundit dhe kjo bëri që trajneri Gledis Lani të largohej nga drejtimi i ekipit.

Më parë të njëjtën që gjë e kishte bërë edhe Anteu Pepaj dhe presidentit Gjokë Noka i duhet të gjejë një trajner të ri, që ta rendisë ekipin në pesë vendet e para në përfundim të fazës së dytë, pasi Superiorja është e paarritshme, jo vetëm prej diferencës me rivalët, por edhe prej nivelit të ekipit që kanë.

Gjatë merkatos së janarit u rikthyen dy lojtarë: Kosta Bajic dhe Bekim Erkocevic, ndërsa nga Shkumbini erdhi sulmuesi laçian Saimir Hasani. Por ka një “firo” së fundmi, pasi sulmuesi Spartak Ajazi është larguar nga ekipi.

Në fakt 23-vjeçari që më parë ka luajtur me Laçin, Ilirinë dhe Burrelin, nuk e ka marrë lejekalimin në klub dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosin drejtuesit e klubit. Ajazi ishte shënuesi më i mirë i besëlidhjes në pjesën e parë të sezonit, duke shënuar 6 gola në tetë ndeshje. /EDS/