Në kampionatin shqiptar janë shumë të shpeshta përballjet e futbollistëve me ish-skuadrat e tyre. Ljo për shkak të ngjeshjes së Superligës në vetëm 10 skuadra, por edhe lëvizjeve të shumta që bëhen thuajse çdo sesion të merkatos. Përjashtim nga ky “rregull” nuk bën as dueli i nesërm mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Patjetër që nesër do ketë përballje me të shkuarën. Ndoshta jo në fushën e blertë, kjo pasi emra si Muça dhe Ilion Lika që janë pjesë e Tiranës vështirë të aktivizohen. Dy futbollistët e sipër përmendur kanë qenë pjesë në të shkuarën e skuadrës së Vllaznisë. Ekipi kuqeblu nga ana e vet nuk ka asnjë ish të Tiranës.

Por siç e thamë përballja e ish-ëve zhvendoset nga futbollistët tek drejtuesit. Kjo pasi trajneri i bardhebluve, Orges Shehi në të shkuarën ka mbrojtur portën e Vllaznisë.

Durrsaku në sezonin 2004-05 ka qenë pjesë e kuqebluve. Për shumë kënd ndoshta është harruar që ai ka dhënë kontributin e tij për një sezon të plotë me Vllazninë, ku ka numëruar 39 paraqitje.

Një tjetër “ish” është edhe Tefik Osmani. Tashmë në rolin e drejtorit teknik tek 25 herë kampionët e vendit, ai në të shkuarën si futbollist ka luajtur edhe me Vllazninë. Sezoni 2012-13 e ka parë shtatlartin si pjesë e kuqebluve. Një sezon jo edhe aq pozitiv si për Vllazninë ashtu edhe për korçarin ai.

Endri ÇINARI