Viron Bezhani, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar ditën e sotme i është drejtuar me një letër ministres së arsimit për lejimin rinisjes së disa sporteve, që për momentin janë të palejuara. Kërkesën e tij, Bezhani e konfirmoi edhe në emisionin “Fan Zone” në “Super Sport”, ku edhe shprehu ankesat për neglizhimin që i bëhet sportit nga ana e shtetit.

JO VETËM FUTBOLLI- Më vjen mirë që qeveria vendosi t’i “ndezë dritën jeshile” futbollit, por nuk duhet të harrojmë që ka shumë sporte të tjera dhe të gjithë duan t’i rikthehen normalitetit të tyre. Ne vijojmë të negociojmë me institucionet shtetërore, për të rifilluar të paktën me sportet individuale momentalisht dhe për të vijuar me sportet në natyre, që mbahen të bllokuar jashtë çdo logjike.

Unë jam pro lejimit të futbollit, por nuk mund të lëmë në harresë sporte të tjera, pasi kemi sportistë që duan të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike dhe duhet t’u krijojmë kushtet që të punojnë e stërviten.

“NUK NA E DINË RËNDËSINË”- Unë e kam vënë re në shumë takime që kam zhvilluar, duke filluar nga vitet ’90, se njerëzit e politikës nuk ia dinë rëndësinë sportit dhe edukimit që ai sjell në shoqëri. Në parlamentin shqiptar, ndonëse kemi edhe sportistë, ju jeni dëshmitarë që nuk diskutohet asnjëherë për sportin.

Duhet të marrim shembull nga Kosova, që ka një ligj shumë të mirë për sportin dhe po i jep një vëmendje maksimale, ndaj keni për të parë që shumë shpejt do të ngrenë sporte të shumta në nivele të larta.

Ne duhet t’u krijojmë kushtet të rinjve që të vazhdojnë sportin dhe të kenë mundësi të ushtrojnë atë, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur të rinjtë këtu. Pra, konkluzioni është që këtu për sportin nuk është vlerësimi që duhet dhe kjo duket qartë nga infrastruktura sportive që ka vendi.

SPORTET E LEJUARA- Unë mund të them me bindje të plotë që të 14 sportistët, që i kemi me nivel europian, mund të fillojnë stërvitjen që nesër, me të gjithë kushtet që do t’u krijojmë ne si Komitet Olimpik. Megjithatë asgjë nuk i pengon atletët që të vrapojnë në natyrë, ashtu si edhe shumë sporte të tjera, por siç thashë, këtu nuk ka vlerësim për sportin.

SHTYRJA E LOJËRAVE OLIMPIKE- Unë ju garantoj që sportistët që kemi në dispozicion, do të jenë në formë shumë të mirë edhe vitin tjetër. Kemi sportistë shumë cilësorë, që shumë shpejt do të jenë krenaria jonë në Europë dhe botë.

MUNGESA E MEDALJEVE OLIMPIKE- Ne kemi sportistë shumë të mirë, por që punojnë në kushte shumë të këqija, ndaj është e vështirë të arrish në zonën e medaljeve, ku hyjnë sportistë që punojnë në kushte fantastike dhe me mbështetje maksimale. Për të shkuar te medaljet, duhet një strategji kombëtare, e menduar dhe me mbështetje ndaj sportit dhe sportistëve. /vipsport/