Partizani kishte një “match point” për titullin kampion sot ndaj Luftëtarit, por nuk e shfrytëzoi, pasi gjirokastritët morën fitoren e tretë radhazi në harkun e pak ditëve ndaj “Të kuqve” të Skënder Gegës.

Vetëm tre ditë pasi i eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, të besuarit e Julian Ahmatajt erdhën dhe fituan 1-3 me përmbysje në “Selman Stërmasi”, duke shtyrë edhe më shumë festën e titullit për skuadrën e Partizanit.

Të kuqtë e nisën mirë sfidën dhe gjetën golin e avantazhit që në minutën e katërt me anë të mesfushorit Dilaver Duka, duke dhënë idenë e një fitoreje të lehtë përballë gjirokastritëve. Por, reagimi i këtyre të fundit ishte në kufijtë e perfektes, pasi arritën të shënojnë 3 herë në portën e Alban Hoxhës, me anë të sulmuesit Ismael Dunga, i cili përveçse u dha të tijve 3 pikët, mori edhe topin në shtëpi.

Megjithatë, pavarësisht humbjes Partizani ruan distancën prej 9 pikësh me kreun, pasi edhe dy skuadrat ndjekëse të të kuqve, Kukësi dhe Teuta, u mposhtën sot, duke bërë që të mos ndryshojë distanca.

Ka zbritur në fushë pas rreth 3 javësh edhe Flamurtari, që mposhti sot me rezultatin minimal 1-0 Tiranën dhe u ngjit në vendin e pestë, me 41 pikë, duke bërë më të forta se kurrë shpresat për një vend në kupat europiane.

Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ishte njeriu që shënoi në kuadratin e portës bardheblu dhe u dha 3 pikët vlonjatëve, që përtej problemeve financiare, vijojnë të bëjnë mirë dhe janë pranë arritjes së një objektivi të rëndësishëm për skuadrën.

Nga ana tjetër, Tirana e Memës komplikon gjithçka, pasi rikthehet edhe njëherë në ujërat e turbullta të zonës së rënies, duke qenë se tashmë Kastrioti është vetëm 3 pikë mbrapa dhe rrezikon ta parakalojë.

Bardheblutë u rikthyen vetëm këtë sezon në Superiore, pasi ranë një vit më parë, por frika për t’u rikthyer sërish në Kategorinë e Parë, është bërë më evidente se kurrë, aq më tepër që gara për mbijetesë është ashpërsuar./topchannel/