Serie A është ndërprerë, si shumica e kampionateve në Europë. Tashmë përpara del detyra e vështirë për të gjetur një zgjidhje për mbylljen e sezonit aktual. Zyrtarisht i është kërkuar UEFA-s që të shtyhet EURO 2020 dhe të martën pritet të merret vendimi nga qeveria e futbollit europian.

Nuk përjashtohet mundësia që të kërkohet edhe pak kohë, por deri më tani opsioni i shtyrjes shikohet si më i mundshme, pasi kampionatet elitare të Europës janë ndalur prej Coronavirusit.

Shtyrja e Europianit nuk është kërkuar kot nga liga italiane. Klubet kanë hedhur poshtë skenarin e luajtjes së ndeshjeve shtesë, play-off/play-out, ide kjo e presidentit të FIGC, Gabriele Gravina.

Sipas GDS, momentalisht ideja e parë është që të luhet deri në qershor, çdo tre ditë, për ta mbyllur kështu kampionatin me ndeshje të plota. Sigurisht kjo ndodh nëse Europiani shtyhet për në vitin 2021, skenar ky më i përfoluri. /abcnews/