Sot janë zhvilluar ndeshjet e ditës së dytë të Memorialit të nëntë ndërkombëtare të boksit “Vllaznia 2012”. I pari në ring ditën edjeshme, ka qenë Elsid Kalemi në peshën 56 kg. Ai ka bërë një ndeshje shumë të mirë duke e dominuar ndeshjen ndaj ekuadorianit Quipo. Kjo fitore ngjallte shpresat e mëdha për të tjerë suksese të sportistëve tanë.Në peshën 64 kg, boksieri shkodran Kristian Shytani ka reaguar mjaft mirë ndaj italianit Mangiacapre që është nënkampion bote, duke rivalizuar deri në fund dhe boksieri italian ka fituar vetëm me pikë ndaj të riut shkodran. Edhe sfidat e tjera kanë patur brenda shumë rivalitet ndërkohë që interesi i madh i sportdashësve shkodranë ka qenë tek përballja e Asmer Bilalit me ekuadorianin Anderson Rojas. Epërsia ka qenë gjatë gjithë ndeshjes në anën e boksierit tonë që pavarësisht shtatëlartësisë më të madhe të kundërshtarit të tij, arriti të ishte superior ndaj tij falë goditjeve dyshe që ishin shumë të sakta. Fitorja e Bilalit ka ngritur peshë tifozët e shumtë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të cilët e prisnin në fakt. Ky sukses i tij, do të pasohej nga ai i Alban Bermetës që në peshën 75 kg do fitonte ndaj ekuadorianit Delgado ndërsa po në këtë peshë, Bekim Vjerdha ka humbur me pikë nga një prej boksierëve më të mirë në botë për këtë peshë, pikërisht uzbekistanasit Ataev. I fundit nga tanët që është ngjitur në ring ditën e sotme ka qenë Kristian Demaj. Përballë tunizianit shumë të fortë Elmekachari, ai ka bërë një ndeshje shumë të mirë, i mbështetur fuqimisht nga tifozët e shumtë shkodranë dhe në fund, gjyqtari i ka ngritur atij dorën si fitues. Me suksesin e Demajt, shkoi në 4 numri i finalistëve nga boksierët e ekipit tonë përfaqësues, prej të cilëve shpresat janë të mëdha për medalje të arta ditën e nesërme.

56 kg ElsidKalemi (Shqipëri)

69 kg AsmerBilali (Shqipëri)

75 kg Alban Bermeta (Shqipëri)

81 kg Kristian Demaj (Shqipëri)