E suksesshme ka rezultuar pjesmarrja e boksierëve të kombëtares shqiptare në turneun “Gongu i Artë” që u zhvillua dje dhe sot në Shkup të Maqedonisë. Nga katër boksierët pjesmarrës, dy prej tyre kanë zënë vende të para dhe kanë merituar medaljet e arta. Njërën nga to e ka marrë boksieri shkodran Asmer Bilali. Në ndeshjen finale të zhvilluar sot në ringun e Shkupit, ai ka mundur një boksier nga Skocia dhe kësisoj ka zënë vendin e parë në peshën 69 kg dhe ka merituar medalje të artë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe boksieri tiranas Alban Beqiri në peshën 75 kg që ka mundur një kundërshtar nga Anglia.
Ndërkohë boksieri tjetër shkodran Kristian Shytani është ndeshur në një gjysmëfinale me një boksier nga Rumania por nuk e ka çuar ndeshjen deri në fund sepse është dëmtuar dhe mjeku nuk e ka lënë të vazhdojë më garën. Kësisoj marrja e dy medaljeve të arta mund të konsiderohet një sukses për boksierët tanë. Kështu mendon edhe trajneri i kombëtares sonë në këtë aktivitet Jozef Sermi që për gazetën shkodrasport.com do të shprehej: “Në këtë aktivitet sivjet morën pjesë boksierë nga 10 shtete dhe pikërisht nga Mali i Zi, Kosova, Anglia, Skocia, Uellsi, Rumania, Serbia, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia. Pjesmarrja sidomos e boksierëve nga Mbretëria e Bashkuar e rriti shumë nivelin e ndeshjeve dhe për rrjedhojë vendet e para të zënë nga Bilali dhe Beqiri patjetër që duhen konsideruar sukses për boksin shqiptar”.
Gjergj KOLA