Tirana ka vendosur që të festojë me të gjithë tifozët e saj në mënyrë shumë të veçantë titullin e 26-të kampion. Bardhebluve do t’u dorëzohet më datë 26 maj, në javën e fundit, trofeu i Superiores dhe ata kanë planifikuar një festë madhështore.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, klubi u bëri ftesë të gjithë tifozëve që të jenë të pranishëm në orën 19:15 në datën 26 maj në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Kukësit dhe ceremonisë së dorëzimit të trofeun, bardheblutë kanë organizuar një koncert me të cilin do të festojnë këtë titull që ka ardhur pas një sezoni të dominuar thuajse plotësisht nga skuadra e Shehit.

NJOFTIMI I TIRANËS

Të gjithë bashkë për të ngritur trofeun e radhës. Nën ritmet e muzikës së artistëve më në zë, performanca speciale e shumë surpriza të tjera. Kur ora të shënojë, 19:15 dyert e stadiumit ‘Selman Stërmasi’ do të jenë të hapura për të pritur këdo që dëshiron të festojë me KF Tirana.

Klubi siguron hyrjen falas për gjithësecilin që kërkon të argëtohet në një atmosferë si kurrë më parë. Le ta mbushim stadiumin plot për t’i treguar të gjithëve se tifozeria jonë është më e madhja dhe me e zjarrta e këtij vendi. Ejani të festojmë mbylljen e një sezoni fantastik! Mos mungo!