Teuta është duke punuar për të zbuluar talente edhe në akademinë e klubit. Trajneri i mirënjohur i ekipeve Shpresa dhe Teutës, Ilir Biturku, i cili prej kohësh ka marrë drejtimin e ekipit U-19 të Teutës, në një prononcim për “Panorama Sport” prek të gjitha temat, nga ekipi i parë, deri te moshat.

Ai beson se Teuta, nëse e vijon sezonin më këtë ritëm do të jetë pretendente për kualifikimin në Europë, ndërsa thekson se në sfidën e së shtunës ndaj kampionëve në fuqi të Tiranës, shanset që Teuta ta fitojë janë aty, por edhe një pikë nuk do të ishte keq.

Ai njekohesisht ka vleresuar rolin jashtezakonisht te rendesishem qe ka patur trajneri Edi Martini ne ndryshimin e gjithe situates tek Teuta dhe e duke e shkeputur ate nga fundi i renditjes, tashme duke pretenduar per me shume.

“Unë mendoj se ardhja e Martinit ndryshoi 180 gradë situatën e Teutës. Edi, si një shok, koleg, mik, para së gjithash njihet shumë mirë me grupin, pasi me një pjesë të lojtarëve është shpallur dhe kampion para dy sezonesh. Unë mendoj që ka futur një frymë të re dhe kjo duket, sepse rezultatet flasin vetë.

Është e pamohueshme, sepse koha po i jep të drejtë atij. E nxori Teutën kampione dhe tani nga ajo gjendje e vështirë po e rrit dita-ditës dhe gjykoj se do të ndryshojnë edhe objektivat.

Mendoj që oreksi vjen duke ngrënë dhe Teuta në ndeshjet e fundit të këtij kampionati po tregon një rritje cilësore dhe ketë rritje do ta përkthejë në objektiva të tjera. Teuta me kalimin e ndeshjeve kam bindjen se do ta ndryshojë objektivin e saj, por kjo varet gjithmonë nga situata që është në klasifikim.

Duhet të shkojë me vëmendje maksimale nga ndeshje në ndeshje. Nëse Teuta do të mbajë të njëjtin trend në kampionat, kam bindje se do të jetë pjesë e skuadrave që do të marrin pjesë në kompeticionet europiane”- eshte shprehur nder te tjera Biturku.