Sunday, July 19, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREBurreli nis rindërtimin, Nikaj kërkon përforcime nga Kosova: 'Jemi në bisedime me...

Burreli nis rindërtimin, Nikaj kërkon përforcime nga Kosova: ‘Jemi në bisedime me disa lojtarë’

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Pas një periudhe pushimi, te Burreli kanë nisur në fushë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2026-2027. Skuadra matjane do të vazhdojë të drejtohet nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, i cili ka nisur së bashku me drejtuesit punën për ndërtimin e një grupi sa më konkurrues. Objektivi i klubit është forcimi i organikës dhe afrimi i elementëve që mund t’i japin më shumë cilësi skuadrës.

Për këtë arsye, Burreli pritet të jetë aktiv në merkaton e verës, me fokus të veçantë edhe në tregun kosovar, ku trajneri Nikaj ka krijuar njohje të shumta nga eksperienca e tij. Vetë tekniku shkodran konfirmon për “Shkodra Sport” se janë zhvilluar kontakte me disa futbollistë, por për momentin emrat mbeten të rezervuar.

“Prej ditësh jemi në bisedime me dy-tre futbollistë nga Kosova, të cilët shpresojmë të japin kontribut për Burrelin në sezonin e ri. Për momentin nuk mund të bëjmë publikë emrat e tyre, pasi bisedimet ende nuk kanë përfunduar”, është shprehur Nikaj.

Ndërkohë, drejtuesit po punojnë që skuadra ta nisë fazën përgatitore me një grup sa më të kompletuar. Pas një sezoni ku Burreli ka synuar të jetë protagonist në Kategorinë e Parë, matjanët kërkojnë të hedhin bazat për një tjetër edicion ambicioz, duke ruajtur boshtin e skuadrës dhe duke ndërhyrë aty ku është e nevojshme.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments